Celebrities Showbiz

Dua Lipa vjen me një tjetër mision të rëndësishëm për të drejtat e njeriut!

Këngëtarja e njohur Dua Lipa, ka vazhduar takimet e saj pas paraqitjes në Këshillin Atlantik. Artistja është takuar me aktivisten për të drejta të njeriut dhe nobelisten, Nadia Murad, teksa ndau me fansat në llogarinë e saj në Instagram disa fotografi nga ky takim.

26-vjeçarja tha se bashkë me aktivisten nga Iraku kanë biseduar për fëmijërinë dhe familjet e tyre, dhe gjithashtu dashurinë që ka për ushqimin arab. Ajo shkruan:

Fillimisht kam folur me Nadia Murad në Zoom, në muajin shkurt të këtij viti. Pas disa takimeve virtuale, ndihem shumë me fat që takova personalisht këtë qenie njerëzore të pabesueshme dje. Nadia më tregoi për tmerret e gjenocidit të komunitetit të saj Yazidi nga duart e ISIS dhe traumën e pësuar nga të mbijetuarit e dhunës seksuale. Ne ndamë gjithashtu histori të familjeve tona, fëmijërisë sonë dhe dashurisë sonë për ushqimin arab. Mezi pres të ndaj me ju punën e mrekullueshme që ajo bën dhe punën që do të bëjmë së bashku. Ndiqni në Instagram @nadiasinitiative për të mësuar më shumë për këtë grua të jashtëzakonshme dhe luftën e saj për njerëzit e saj. Jam e nderuar ta mbështes në rrugëtimin e saj.

Nadia Murad, aktiviste për të drejtat e njeriut e cila jetën në Gjermani, është themeluese e fondacionit “Nadia’s Initiative”, që ka për qëllim t’i ndihmojë gratë dhe fëmijët që kanë qenë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore, gjenocidit apo mizorive masive. Në vitin 2018 Nadia dhe Denis Mukwege u nderuan me çmimin Nobel për paqe për përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund përdorimit të dhunës seksuale si armë lufte dhe konfliktit të armatosur.

Rikujtojmë se, Dua Lipa teksa mori të mërkurën Çmimin për Lidershipin e Dalluar nga Organizata “Atlantic Council”, përfitoi nga rasti për t’i kërkuar Presidentes se Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen liberalizmin e vizave për Kosovën. Ajo theksoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe Komisioni Evropian ka rekomanduar liberalizimin e vizave më shumë se tre vjet më parë.