Celebrities Film & Tv

Eksklusive/ Kledi Kadiu, kryetar jurie në “Dancing With The Stars” në Top Channel!

Top Channel po sjell projekte nga më të ndryshme televizive që i kanë mbajtur njerëzit të ‘gozhduar pas ekranit’. Pas “Big Brother VIP” që padyshim ishte aq i suksesshëm sa jehona e personazheve vazhdon edhe sot, sektori i spektaklit dhe argëtimit është mbuluar më së miri edhe nga programe të të tjera si “Kepi i Tundimeve” apo “Për’Puthen”. E në gjithë këto prodhime, një tjetër spektakël do të nisë shumë shpejt dhe bëhet fjalë pikërisht për “Dancing with the Stars”.

Para pak kohësh ishte Sara Hoxha, ku në një nga intervistat e saj të rralla na tregoi për projektet e ardhshme nga ana profesionale. Për herë të parë zbuloi rikthimin e një projekti shumë të madh në Shqipëri, i cili është spektakli “Dancing with the Stars”.

Ajo që dimë deri më tani është se prezantuesja e këtij sezoni do të jetë Bora Zemani, e cila shfaqet dhe në promon zyrtare. Ka pasur shumë aludime rreth konkurrentëve që do të marrin pjesë këtë sezon, por ende nuk ka pasur konfirmime zyrtare nga asnjë prej tyre.

Ndërkohë tani kemi një tjetër lajm. Është pikërisht Kledi Kadiu i cili do të jetë kryetar jurie në “Dancing with the Stars”. Lajmin e kanë bërë të ditur burime pranë Top Channel që kanë konfirmuar se z. Kadiu do të jetë në programin që nis së shpejti në Top Channel.

Kledi Kadiu njihet për karrierën e tij të gjatë dhe të suksesshme. Balerini shqiptar më i suksesshëm në Itali dhe më gjerë, gjithashtu dhe krahu i djathtë i Maria De Filippi në talent-show “Amici”.

Kadiu ndoqi Akademinë Kombëtare të Kërcimit, ku u diplomua në vitin 1992. Shumë shpejt filloi të punojë si balerin në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku u bë balerini kryesor, duke interpretuar në balete si ‘Giselle’, ‘Arrëthyesi’, ‘Don Kishoti’ dhe ‘Daphnis et Chloé’.

Që në vegjëli kërcimi dhe baleti klasik ishin pasionet e Kledit e megjithëse ka studiuar në Akademi, vendi ynë asokohe ishte nën regjimin Komunist dhe shanset për të pasur një karrierë ishin shumë të vogla. Nëse do të kishte jetuar në Shqipëri do të vazhdonte të performonte të njejtat pjesë klasike vazhdimisht pasi format e reja të kërcimit ishin të bazuara në elementë kapitalistë.

Si mijëra shqiptarë të tjerë edhe Kledi ka qenë në bordin e ‘anijes së ëmbël’ ku 20 mijë persona u nisën për të ëmigruar në Itali. Megjithëse herën e parë e kthyen, vite më pas ai e provoi sërish nëpërmjet një konkursi baleti në shtetin fqinj. Pasi triumfoi, më në fund ai arriti të largohej në mënyrë ligjore, e megjithatë jeta nuk ka qenë aspak e lehtë. Pas shumë sakrificash dhe një pune të madhe, ai arriti të merrte role të rëndësishme në teatër dhe në ‘reality show’.

Në vitin 1993, në moshën 19-vjeçare, ai u transferua në Itali. Tre vjet më vonë, ai bëri debutimin e tij televiziv si balerin në programin e Canale 5 ‘Quizzone’. Nga viti 1997 deri në vitin 2003, Kadiu ishte një kërcimtar i rregullt në ‘Buona Domenica’. Kjo u pasua nga puna në dy programe të njohura të drejtuara nga Maria De Filippi në Canale 5, ‘C’e Posta Per Te’ dhe talent show me ‘Amici’.

Në vitin 2004, Kledi themeloi shkollën ‘Kledi Dance’ në Romë. Një vit më pas, ai luajti në filmin e tij të parë ‘Passo a Due’, një film gjysmë biografik i drejtuar nga Andrea Barzini, ku Kadiu portretizon Benin, një të ri shqiptar që mbërrin në Itali duke kërkuar famë dhe pasuri si balerin. Ai luajti në një film tjetër kinematografik, ‘La cura del gorilla’, si dhe një mini-serial televiziv i cili u transmetua nga Rai Uno në 2007. Po atë vit, ai interpretoi në baletin ‘Romeo and Zhuliet’, i cili u prodhua nga kompania e kërcimit ‘Balletto’ nga Roma.

Kadiu ka fituar dy çmime. Në vitin 2004, ai mori çmimin ‘Premio Gino Tani’ për Artistin më të Mirë të Vitit dhe në vitin 2006, ai mori çmimin ‘Ginestra d’Oro’ për kërcimtarin më të mirë të vitit.