Vizita në vendin tonë e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, çon në anulimin e seancës së sotme plenare. Kuvendi i Shqipërisë njoftoi anulimin e kësaj seance të parashikuar për të nisur në orën 10:00, si zakonisht. Ndërkaq, u vendos shtyrja për më 17 tetor.
Sipas vendimit të Kuvendit, seanca plenare e parashikuar për datën 10 tetor 2024, do të zhvillohet në datën 17 tetor, me rend dite të përbashkët, sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit. Për zbatimin e vendimit të firmosur nga Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ngarkohen shërbimet e Kuvendit për njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik.
Presidenti Erdogan do të zhvillojë një vizitë në Tiranë, ku do të takohet me zyrtarë të lartë të vendit, si dhe do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të Xhamisë së Madhe të Tiranës, ose siç njihet te besimtarët myslimanë, Xhamia e Namazgjasë.
Bashkë me kryeministrin Edi Rama, presidenti Erdogan do të jetë i pranishëm në ceremoninë e inaugurimit të Xhamisë së Madhe në Tiranë.
Sipas axhendës së publikuar në media, vizita e presidentit Erdogan do të nisë me një takim kokë më kokë me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, për të vijuar me mbledhjen e Këshillit të Bashkërendimit të nivelit të lartë dhe ceremoninë e firmosjes së marrëveshjeve. Po ashtu pritet një deklaratë për mediat e Presidentit të Turqisë dhe e shefit të qeverisë Edi Rama.
E konsideruar si më e madhja në Ballkan, xhamia në qendër të kryeqytetit shqiptar është veshur me flamujt e Shqipërisë dhe të Turqisë e pas inaugurimit do të jetë e hapur për të gjithë besimtarët myslimanë.