Eurovisioni i të shtunës mbrëma në Liverpool ishte finalja e madhe më e ndjekur në historinë e këtij kompeticioni. Në Mbretërinë e Bashkuar, pati një maksimum shikueshmërie prej pesë minutash nga 11 milionë njerëz që shikonin dhe një shifër mesatare e shikueshmërisë prej 9.9 milionë vetash, që barazohet me 63% të audiencës televizive. Rekordi i mëparshëm i vlerësimeve ishte finalja e vitit 2011, kur një mesatare prej 9.5 milionë vetash u akorduan për të parë edicionin ku fitues u shpall shteti i Azerbajxhanit.
Vitin e kaluar, finalja në Torino u ndoq mesatarisht nga 8.9 milionë ndjekës. ‘Eurovision 2023’ u fitua nga Suedia me përfaqësuese artisten Loreen, e cila gjithashtu bëri histori duke u bërë gruaja e parë që fitoi dy herë Eurovisionin. Ajo triumfoi me baladën e saj me titull “Tattoo që erdhi më shumë se një dekadë pas fitores së saj në vitin 2012 me këngën “Euphoria”.
Këngëtarja mblodhi gjithsej plot 583 pikë pasi u bashkuan votat e publikut dhe jurisë, duke mposhtur me një rezultat të ngushtë Finlandën, e cila mblodhi 526. Liverpool premtoi festën më të mirë dhe të madhe ndonjëherë dhe nuk i zhgënjeu shikuesit e këtij festivali. Claire McColgan, drejtoresha e Culture Liverpool, tha se përvoja e pabesueshme tregoi vlerën dhe rëndësinë e investimit në kulturë.
Ndërkaq, rikujtojmë, se fansat e Eurovizionit kanë akuzuar konkursin e këngës se manipuluan me rezultatin për të lejuar Suedinë të fitojë. Thuhet se organizatorët orkestruan fitoren e Loreen në mënyrë që Suedia ta organizonte vitin e ardhshëm që përkon me 50 vjetorin e fitores së grupit ABBA. Secili nga 26 shtetet luftuan për të marrë trofeun, por ishte Suedia ajo që triumfoi, me Loreen që shënoi historinë si gruaja e parë që fiton dy herë konkursin.