Auto & Moto

Ferrari prezanton supermakinën që nuk mund të blihet nga askush!

Ferrari ka prezantuar një supermakinë, me një motor prej 1000 kuajsh fuqi, por që nuk mund të blihet nga askush. Arsyeja është se marka e famshme italiane e ka “prodhuar” këtë mjet vetëm për 25-vjetorin e video-lojës Gran Turismo. Ferrari Vision Gran Turismo ka një pamje të jashtme shumë të “egër”, kjo edhe për faktin se krijuesit e saj nuk kanë pasur kufizimet që kanë kur prodhojnë një Ferrari të vërtetë.

Shpejtësia maksimale e kësaj makine do të jetë 350 km/h. Prototipi në përmasa reale do të jetë i ekspozuar në Muzeun Ferrari, në Maranello, deri në mars të vitit të ardhshëm. Ndërsa ata që kanë një PlayStation, mund ta ngasin këtë makinë duke nisur nga 23 dhjetori i këtij viti.

Rikujtojmë, se së fundmi, Ferrari është detyruar të tërheqë 23,555 makina për shkak të një problemi të mundshëm që mund të shkaktojë që frenat të humbasin funksionin dhe të rezultojnë në një aksident. Kompania nga Maranello gjithashtu tërhoqi pothuajse 10 mijë makina për shkak të të njëjtit problem në tetor të vitit të kaluar dhe tani ky numër është më shumë se dyfishi.

Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada deklaron se kapaku i rezervuarit të lëngut të frenave mund të mos ajroset siç duhet dhe ajrimi i papërshtatshëm i rezervuarit mund të çojë në rrjedhje lëngu dhe dështim të pjesshëm ose të mundshëm të frenave.