Aktualitet Politikë

Ilir Meta reagon për letrën e Autoritetit të Dosjeve!

Ilir Meta hedh poshtë akuzat se ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, pasi duke dhënë inicialet I.M, Autoriteti i Dosjeve e përmendi si politikan i profilit të lartë, me dosje në aktivitetin e ish-Sigurimit. Në një dalje për mediat, deklaroi:

Nuk ka shqiptar mbi këtë tokë që nuk e kupton këtë akt vetëvrasës, sepse para se të jetë ligjor, Autoriteti i Dosjeve është moral. Eshtë për të ardhur keq për sjelljen e “Autoritetit të Manipulimit të Dosjeve”, sepse e dinë se çfarë ka të manipuluar në ato dosje. Me një e-mail anonim, që kur të zbulohet do të gajaseni të gjithë, na qenka zbuluar që pas 30 e ca vitesh, I.M. qenka ky njeri i cili që në mars të vitit 1992 u bë deputet dhe iu nënshtrua filtrave të të gjithë komisioneve, të të gjitha kohërave. Që nga filtri i Berishës, ku nuk kaloi gjysma e atyre që ishin pjesë e partisë ku unë bëja pjesë, tashmë të kthyer në parti patronazhistësh e fuksash.

Pse u dashka bërë me urgjencë një ligj i posaçëm? Dhe patjetër, u ngrit Parlamenti në këmbë? Po cili Parlament, ai me në krye zonjën Nikolla apo Lindita e Ramës që vepron me urdhër për të tërhequr vëmendjen nga afera e inceneratorëve? Për atë do të përvëlohen të gjithë, si minjtë në “furrën e drejtësisë”.

Kush e ka ndaluar këtë Autoritet të bëjë publike sa I.M kanë qenë në Fakultetin e Ekonomisë, sa I.M. kanë qenë në klasën time? Unë në atë kohë kam qenë vetëm Sekretar i Rinisë së Fakultetit të Ekonomisë, i zgjedhur se isha pothuajse me të gjitha 10-ta, por edhe kisha aftësi si lider që atëherë.

Ish-presidenti i cili tre ditë më parë mbylli mandatin presidencial dhe u vendos në krye të Partisë së Lirisë si forcë politike opozitare, tha se për të, “nuk ekziston më Autoriteti i Dosjeve”.

Do e shikoni si përfundon kjo histori, emrat e tyre do të gdhenden në shtyllën e turpit!