Aktualitet Politikë

Rasti i politikanit I.M, kryeparlamentarja Nikolla: Tronditës, Kuvendi të reagojë!

Në një reagim mbi letrën e Autoritetit të Dosjeve, ku vihej në dijeni se politikani me inicialet I.M figuron me dosje në aktivitetin e Sigurimit të Shtetit, kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se “rasti është tronditës e Kuvendi duhet të reagojë patjetër”. Nikolla shpjegoi se për këtë arsye, sot thërriti kryetarët e grupeve parlamentare, si dhe të komisioneve të Sigurisë e Ligjeve, për t’i informuar mbi identitetin e politikanit me inicialet I.M. Po ashtu, shprehu gatishmërinë për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë, që forcat politike do të kenë nevojë.

AIDSSH ka dërguar një letër në drejtimin tim ku më vë në dijeni të identitetit të këtij politikani me profil të lartë dhe kërkon nga Kuvendi ndërhyrje të menjëhershme për adresimin e një pengese ligjore që nuk ia mundëson Autoritetit veprimet e domosdoshme për rastin. Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Prandaj kam thirrur sot kryetarët e grupeve parlamentare, kryetarët e Komisionit të Sigurisë dhe Ligjeve, të cilët i kam informuar mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me inicialet I.M, si dhe gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.

Dua të falënderoj Autoritetin e Dosjeve për reagimin e drejtë të pavarur dhe profesional si dhe për kurajën në adresimin e këtij rasti, i cili ngre pyetje të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe për forcat politike. Në respekt të ligjit dhe të ndjeshmërisë së lartë të këtij rasti vërtetë tronditës nuk mund të flas më shumë në këtë fazë.

Pas takimit me Nikollën, kreu i grupit parlamentar për Demokraci dhe Integrim, Fatmir Mediu u shpreh:

Ato figura që kanë qenë të implikuara në të kaluarën, të cilët kanë dominuar në pjesën më të madhe në jetën publike e politike në 30 vjet në institucione të ndryshme, mos jenë pjesë e një aktiviteti publik të lartë!

Po ashtu, pas takimit me Nikollën, kryetarja e grupit parlamentar të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Mesila Doda tha se “duhet të bëhet ligji që largon të kaluarën e errët” ndërsa kryetares së Kuvendit i kërkoi të bëjë pastërtinë e figurës për deputetët.