Rrugët e qytetit të Vlorës u përmbytën dje si rezultat i reshjeve të dendura. Kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, në një prononcim për mediat bëri të ditur se shkaku i vërshimeve ishte sasia e madhe e reshjeve që ra për dy orë e gjysmë, e cila ishte shumë më e lartë se norma e zakonshme. Dredha theksoi se rreth 180 mm shi ranë brenda kësaj periudhe, që është e barabartë me sasinë e reshjeve për një muaj. Sipas tij, ekipet e bashkisë kanë bërë të mundur evakuimin e 55 familjeve.
Aktualisht po monitorohet gjendja për të llogaritur dëmet e shkaktuara. Deri tani, 55 persona janë evakuuar dhe po shqyrtohet mundësia për mbështetje financiare për familjet e dëmtuara, në bashkëpunim me Shtabin e Emergjencave, menjëherë pas normalizimit të situatës, deklaroi kreu i bashkisë.
Ai u shpreh se situata është normalizuar.
Prurja e reshjeve ka qenë tej normales. Rreth 180 mm shi për 2.5 orë është sasia e reshjeve që normalisht bie për një muaj. Për këtë arsye, kanali i ujërave, me atë masë prurjesh, ka dalë jashtë kapacitetit dhe si rezultat uji ka përmbytur qytetin.
Po ashtu, bëri të ditur se qytetarët ishin njoftuar për situatën që pritej dhe ishin këshilluar të merrnin masa.
Një ditë më parë, ne i paralajmëruam qytetarët për reshjet, duke i këshilluar që të ishin të kujdesshëm, sepse e prisnim që do të kishte reshje. Të gjitha kanalet janë pastruar më parë për të qenë gati për sezonin e reshjeve, por sasia e prurjeve ishte jashtë normales, tha Dredha.
Kryebashkiaku Ermal Dredha, më tej, në një postim në rrjetet sociale është shfaqur me banorët e Vlorës të prekur nga përmbytjet.
Pranë qytetarëve në këto momente kritike për qytetin. Të angazhuar maksimalisht për normalizimin e situatës dhe evidentimin e dëmeve.