Aktualitet Politikë

Kryeministri Rama në Kongresin e PES: Diskutojmë sfidat e përbashkëta!

Kryeministri Edi Rama ndodhet në kryeqytetin gjerman Berlin për të marrë pjesë në Kongresin e Partisë së Socialistëve Europianë. Shefi i qeverisë informon:

Forcat politike progresiste nga mbarë Europa mblidhen sot në Kongresin e PES-së ku do të diskutojmë se si të përballemi me sfidat e përbashkëta të së sotmes, nga inflacioni i luftës tek kriza e imponuar e energjisë e me radhë me sytë nga e ardhmja e familjes sonë europiane.

Kongresi i PES-së zhvillon punimet sot dhe nesër. Partia e Socialistëve Europianë (PES) bashkon subjektet socialiste, socialdemokrate e laburiste nga vendet e Bashkimit Europian, Britanisë së Madhe apo Norvegjisë, por të ftuara janë edhe forcat politike të majta të Ballkanit.

PES është platforma e përbashkët ku bëhen bashkë aktivistë, drejtues partish, sekretarë të përgjithshëm, liderë, organizata rinore, deputetë, eurodeputetë, komisionerë europianë, ministra e kryeministra të partive socialiste, socialdemokrate, të punës e demokratike, si dhe organizata brenda Europës.

Edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla zbardhi çështjet e diskutimit të Kongresit të Partisë së Socialistëve Europianë (PES) në Berlin. Gjithashtu pjesëmarrës në punimet e këtij kongresi, Balla informon se forcat politike progresiste nga mbarë Europa mblidhen që të diskutojnë sfidat me të cilat përballet Europa.

Temë e punimeve të këtij kongresi do të jenë inflacioni i luftës dhe çmimet e larta të energjisë, degradimi i sigurisë ndërkombëtare, ndryshimet klimatike e sfidat sociale.