Bota

Lufta në Ukrainë, Putin vendos mobilizim të pjesshëm ushtarak/Kërcënon NATO-n!

Vladimir Putin firmosi dekretin për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi, që do të nisë menjëherë. Njoftimi vjen në kohën kur pushtimi rus i Ukrainës është në muajin e shtatë. Po ashtu, shefi i Kremlinit paralajmëroi Perëndimin se “Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion, për të mbrojtur territorin e saj” dhe tha se “ky nuk është një mashtrim”.

Po flasim për mobilizim të pjesshëm. Pra, vetëm qytetarët që aktualisht janë në rezervë do t’i nënshtrohen rekrutimit, si dhe ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura e kanë përvojën përkatëse. Qëllim është çlirimi i rajonit Donbas në Ukrainën lindore.

Presidenti Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në atë që e quan “shantazh bërthamor” dhe pa ofruar asnjë provë, pretendoi se “përfaqësues të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s kanë bërë deklarata për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë”. “Atyre që i lejojnë vetes të tilla deklarata në lidhje me ne, dua t’u kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi”, – tha Putin.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, njoftoi se do të mobilizohen vetëm ata rusë që kanë përvojë luftarake dhe shërbimi, jo rekrutët e studentët. Eshtë fjala për rreth 300 mijë vetë. Moska deklaron se 5 mijë e 937 trupa ruse janë vrarë në Ukrainë, shifër shumë më e vogël se vlerësimet e Kievit zyrtar e të disa vendeve perëndimore, që flasin për mijëra të vrarë në radhët e ushtarakëve të Moskës.

Një ditë më parë, rajonet e pushtuara nga Moska në Ukrainën lindore dhe jugore shpallën planet për të mbajtur referendume për bashkim me Rusinë. Analistët thonë se të tilla përpjekje të mbështetura nga Kremlini, krijojnë terren që Moska të përshkallëzojë luftën, pas sukseseve të Ukrainës në fushën e betejës. Referendumet që pritej të zhvilloheshin që në muajt e parë të luftës, tashmë fillojnë më 23 shtator për të përfunduar në datë 27, pra 4 ditë më pas. Fillimisht do të mbahen në rajonet Luhansk e Herson, si dhe në Zaporizhja e Donjeck. Dy të fundit kontrollohen pjesërisht nga Rusia.