Rajoni

Marrëveshja dështoi, makinat në Kosovë e Serbi me letra ngjitëse në targa!

Në pikëkalimet Kosovë-Serbi, shoferët nga të dy anët e kufirit po qarkullojnë me letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore të targave të makinave. Në rrugën Zveçan-Jarinjë funksionojnë kontrolle policore. Letrat ngjitëse përdoren pavarësisht se marrëveshja e përkohshme e arritur në Bruksel për mbajtjen e tyre, skadoi një ditë më parë.

Kosova dhe Serbia nuk u pajtuan mbi një zgjidhje të përhershme për targat, ndërsa pas takimeve të djeshme me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, palët akuzuan njëra-tjetrën për mungesë vullneti në arritjen e akordit. Nga vëzhgimet në pikëkalimet kufitare në Merdare, Jarinjë e Bërnjak, duket se qarkullimi vazhdon normalisht dhe situata paraqitet e qetë.

Kosova dhe Serbia kishin afat që deri më 21 prill të arrinin një marrëveshje afatgjatë lidhur me çështjen e targave. Por, në takimet mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviç, me ndërmjetësimin e BE-së, palët nuk arritën marrëveshje. Bislimi akuzoi Beogradin për mungesë gatishmërie.

Grupi ynë i punës u mundua të vijë deri te një draft-propozim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar mbi një zgjidhje të mundshme brenda kornizave.

Bislimi iu referua pikës së marrëveshjes së përkohshme të fund shtatorit të kaluar e ku kërkohej që grupet e punës të të dyja shteteve, brenda gjashtë muajve të prezantonin gjetjet e një zgjidhjeje të përhershme për këtë çështje. Akuzë të ngjashme drejtoi edhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviç, duke konfirmuar se “do të vazhdojë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse”, pavarësisht se marrëveshja e përkohshme ka përfunduar. Kosova vendosi ta trajtojë lirinë e lëvizjes, njësoj si Serbia.

Por, megjithë dështimin për të arritur marrëveshje deri në afatin e 21 prillit, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u bëri thirrje palëve që të vazhdojnë bisedimet për çështjen e targave.

Ne presim që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet që mund të vënë në rrezik sigurinë në terren!

Më 20 shtator 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, vendosi masën e reciprocitetit për targat. Kjo nënkuptonte se me hyrjen në territorin e Kosovës, drejtuesit e automjeteve me targa serbe, duhej të merrnin targa të vlefshme për 60 ditë dhe që kushtonin pesë euro. Për shoferët me targa të Kosovës kjo ishte diçka e njohur kur qarkullonin në Serbi. Por, masa nxiti pakënaqësi në mesin e popullatës serbe në Kosovë, duke bllokuar rrugët që çonin në pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak. Për të ulur tensionet, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, më 30 shtator u arrit marrëveshja e përkohshme për targat.