Rajoni

Nuk ka marrëveshje për targat, dështojnë bisedimet për dialogun në Bruksel!

Dialogu mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, në Bruksel, ka përfunduar pa marrëveshje për targat.

Përfaqësuesi i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, ka njoftuar se në takimin e sotëm nuk është arritur marrëveshje për çështjen e targave të automjeteve.

“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në çështjet e tjera duke përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, ka shkruar Lajçak.

Palët nuk kanë arritur pajtueshmëri për një zgjidhje afatgjate për çështjen e targave të automjeteve, edhe pse ka skaduar mandati prej gjashtë muajsh për grupet punuese që të arrijnë një marrëveshje.

Marrëveshja e përkohshme mes dy shteteve për targat, e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar, parashikon mbulimin me letra ngjitëse të simboleve shtetërore në targat e makinave kur ato të kalojnë në territorin e njëra-tjetrës.

Ndërkohë, pritet që derisa të mos ketë marrëveshje të reja, të vazhdojë të zbatohet regjimi me letra ngjitëse.