Bota

Pas COVID-19, Bill Gates paralajmëron për ‘shpërthimin’ e ardhshëm global!

Së fundmi, miliarderi Bill Gates ka paralajmëruar për pandemi shumë më të këqija se COVID-19, teksa u ka bërë thirrje qeverive të kontribuojnë me miliarda dollarë për t’u përgatitur për shpërthimin e ardhshëm global. Filantropisti tha se ndërsa variantet Omicron dhe Delta të koronavirusit ishin disa nga viruset më transmetues të parë ndonjëherë, botës mund t’i duhet të përballet me një patogjen që shkakton një shkallë shumë më të lartë të vdekjeve ose sëmundjeve të rënda.

Fondacioni “Bill & Melinda Gates” dhe “Wellcome Trust” i Mbretërisë së Bashkuar po i japin 300 milionë dollarë Koalicionit për Inovacionet e Përgatitjes Epidemike, i cili ndihmoi në formimin e programit Covax për të ofruar vaksina në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. CEPI po përpiqet të mbledhë 3.5 miliardë dollarë pasi synon të shkurtojë kohën e nevojshme për të zhvilluar një vaksinë të re në vetëm 100 ditë.

Ai shtoi se pjesa më e madhe e inovacionit për t’u përgatitur për një pandemi të ardhshme mund të jetë gjithashtu e dobishme në trajtimin e problemeve ekzistuese shëndetësore globale, të tilla si krijimi i një vaksine për HIV dhe vaksina më të mira për tuberkulozin dhe malarinë. Gates tha se dy financuesit e mëdhenj të zhvillimit të vaksinave gjatë pandemisë COVID-19, CEPI dhe qeveria amerikane, u treguan “të guximshëm” që vunë paratë në rrezik. Por, ai pranoi se duhej bërë më shumë për të rritur furnizimet për të vaksinuar botën.

Bill Gates ka qenë, që nga fillimi i pandemisë, një nga personat që ka dhënë më shumë mendimet e tij mbi COVID-19. Tani, kur Evropa po përballet me rritje rekord rastesh të reja, themeluesi i Microsoft ka parashikuar se kur kjo pandemi do të shndërrohet në një sëmundje si gripi i zakonshëm. Miliarderi beson se numri i të infektuarve me koronavirus në disa vende do të ulet pas valës së përhapur Omicron dhe më pas saj do të trajtohet si një grip sezonal. Nëpërmjet një postimi në Twitter ai ka shprehur se:

Ndërsa bota po kalon valën Omicron, sistemet shëndetësore do të përballen me shumë sfida. Rastet më të rënda po shfaqen te njerëzit e pavaksinuar. Sapo Omicron të kalojë, rastet do të jenë më të pakta, kurse koronavirusi do të trajtohet më shumë si një grip sezonal.