Gossip Music Showbiz

Përmbajtje politike në tekstin e saj, kënga e Izraelit në ‘Eurovision 2024’ mund të përjashtohet!

Sipas raportimeve të gazetës izraelite “Ynet”, kënga e Izraelit në ‘Eurovision 2024’ mund të skualifikohet për shkak të përmbajtjes politike në tekst. Ky supozim u bë pas zbulimit të titullit të këngës, i cili është “October Rain”, që në shqip përkthehet si “Shiu i Tetorit”. Transmetuesi i Eurovisionit në Izrael, KAN, menjëherë mblodhi një këshill për të diskutuar skualifikimin e mundshëm. Gazeta thotë se u vendos që nëse kënga skualifikohet për shkak të përmbajtjes së saj politike, Izraeli do të tërhiqet nga Eurovisioni në vend që të ndryshojë fjalët ose të zëvendësojë këngën.

Transmetuesi izraelit u shpreh: “Nuk do të ndryshojmë as tekstin as këngën, edhe nëse kjo do të thotë që Izraeli nuk do të marrë pjesë në Eurovision këtë vit”. Më 16 shkurt, Bashkimi Evropian i Transmetimeve përsëriti se nuk do ta përjashtojë Izraelin nga Eurovisioni për shkak të luftës së vazhdueshme në Gaza. Megjithatë, përfshirja e teksteve politike është një çështje tjetër. Kjo paraqet një shkelje të rregullave të konkursit nga ana e një transmetuesi pjesëmarrës dhe çon në mundësinë që Izraeli të skualifikohet.

Rikujtojmë, se prezantueset e Eurovisionit të 68-të në Malmö do të jenë aktorja hollivudiane dhe suedeze Malin Akerman dhe Petra Mede, një aktore dhe komediane suedeze, e cila tashmë ka organizuar dy herë garën më të madhe muzikore evropiane.