Politikë

Primaret në PD, mbyllet procesi i votimit për kandidatët për zgjedhjet lokale

Procesi i votimit për primaret në Partinë Demokratike ka mbaruar disa minuta më parë, pas 10 orësh të plota. I vetmi qytet ku është shtyrë orari i votimit është Lezha, për shkak të numrit të lartë të simpatizantëve. Totali i personave që kanë votuar në të gjithë vendin deri në orën 17:00 ka qenë 51797 në 51 bashki, sipas qarqeve:

Për herë të parë kanë votuar jo vetëm anëtarët e PD-së, por edhe simpatizantët, të cilët mbështesin kandidatët, që do të garojnë për të përfaqësuar demokratët në zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.

Kandidati shpallet fitues vetëm nëse merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme në një zonë të caktuar.

Në rast se asnjë nga kandidatët nuk merr të paktën 50% + 1 të votave nga totali i votave të vlefshme, atëherë kalojnë në balotazh dy kandidatët me numrin më të lartë të votave. Në rast ndarje votash në mënyrë të barabartë, kandidati apo kandidatët që kalojnë në balotazh hidhen me short.

Ndonëse cilësohen si garë për të zgjedhur kandidatin më të mirë, në disa prej bashkive primaret duket të dalin jashtë loje, për sa kohë është rezulton të jetë vetëm një kandidat. Në Shkodër, kandidati i vetëm është Bardh Spahia, në Elbasan Luçiano Boçi, në Kukës Admir Sinamati dhe në Poliçan kandidati i vetëm është Behar Xhaferaj. Për shkak të tërheqjeve nga ana e disa kandidatëve, nuk ka garë as në Vorë, Belsh, Libohovë e Kolonjë.

Ndërkohë, në pesë bashki të tjera këtë të diel nuk ka zgjedhje për primaret.

Në Malësi të Madhe, u vendos të mos mbahet procesi i votimit, për shkak se baza demokratike ka qëndruar larg konfliktit mes dy grupimeve.

Himara, Finiqi dhe Dropulli u lihen PBDNJ-së së drejtuar nga Vangjel Dule, ndërsa Pusteci i lihet partisë minoritare maqedonase.

Probleme ka dhe në bashkitë me disa kandidatë, pasi nga vetë këta të fundit janë hedhur akuza për manipulim votash.

Pasi u përjashtua nga gara për shkak të konfliktit me armë, kandidati në primare për Bashkinë e Kurbinit, Alfred Daci thotë se historia po përsëritet. “Vitet ecin por kriza aktuale nxjerr në pah paaftësinë dhe papjekurinë e institucioneve tona ‘Demokratike’”, shkroi Daci në një reagim, menjëherë pas vendimit të KOKOE të shtunën.

Edhe avokati Ermal Hamataj, kandidat në primare për bashkinë e Fierit ka folur për garë të manipuluar.