Aktualitet Travel

Qershori nis me lajme të mira për ata që udhëtojnë drejt Italisë e me lehtësira anti-COVID në Greqi!

Nga sot, Italia nuk po iu kërkon udhëtarëve certifikatë vaksinimi, shërimi apo test negativ koronavirusi. Sipas Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në vendin tonë, “udhëtimet lejohen për çfarëdo arsye”. Në vendin fqinj, dëshmia e statusit të koronavirusit, nuk do të kërkohet më as në restorante dhe vende turistike. Vendimi reflekton përmirësimin e situatës e uljen e ndjeshme të numrit të infektimeve me COVID-19.

Muaji ka nisur me të tjera lehtësira masash anti-COVID edhe në Greqi, një tjetër vend fqinj me Shqipërinë. Nga sot hiqet detyrimi për të mbajtur maska ​​në të gjitha hapësirat publike të brendshme e të jashtme. Maskat nuk janë më të nevojshme as në avionë, por duhen në autobusë, metro, tramvaje, trena periferikë, spitale, klinika, ambiente të kujdesit për të moshuarit, si dhe në shkolla, gjatë provimeve përfundimtare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH paralajmëroi për një përhapje të mundshme të mëtejshme të lisë së majmunëve në festivalet dhe ngjarjet e mëdha të planifikuara për këtë verë në Europë. Kjo u vu në dukje nga drejtori rajonal i OBSH-së për Europën, Hans Kluge. Sipas tij, “trasmetimi i shpejtë i lisë së majmunëve u favorizua nga heqja e kufizimeve të COVID-19/ës në pjesën më të madhe të Europës, muajt e fundit”. Deri tani, pjesa më e madhe e rasteve lidhet me aktivitetin seksual, por virusi mund të prekë këdo.

Megjithatë, festivalet dhe festimet e planifikuara për muajt e ardhshëm kanë ofruar gjithashtu një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të forcuar mbrojtjen individuale e të komunitetit midis të rinjve, njerëzve seksualisht aktivë dhe njerëzve të lëvizshëm globalisht.

Hetimet për rastet e deritanishme sugjerojnë se shpërthimi në Europë daton në mesin e prillit.

Eshtë më i madhi dhe gjeografikisht më i përhapuri i raportuar ndonjëherë jashtë Afrikës Perëndimore dhe Qendrore, zona ku lia e majmunëve është endemike.