Celebrities Fashion

Stilisti amerikan prezanton koleksionin e ri pranverë-verë 2022, veshje që nuk duhen humbur!

Stilisti amerikan Christian Siriano çeli javën e Modës në Nju-Jork, me koleksionin e ri pranverë/verë 2022. Personalitete të famshme të showbiz-it kishin zënë vendet e para pranë pasarelës, duke shijuar të parën shfaqje që prej nisjes së pandemisë, ku spikati aktorja Katie Holmes, reperja Lil Kim, Alicia Silverstone etj. Siriano u shpreh se:

Ndihem shumë mirë. Mbrëmja e sotme ishte si një festë e bukurisë dhe glamurit dhe për gjithçka që njerëzit duan te moda, përmes sfilatës dhe muzikës. Gjithçka është një festë.

Stilisti 35-vjeçar zbulon frymëzimin e tij për koleksionin e ri, me 59 veshje të ndryshme.

Ky koleksion është frymëzuar nga gjyshja ime dhe kjo pasuri e llojit italian. Këto veshje i kam zbuluar në fotot e saj të vjetra, veshur me këto fustane. Dhe kjo ishte pikërisht ajo që unë doja të sillja në këtë koleksion. Doja të sillja pushimet e viteve ’60 në Positano. Kjo ishte ideja ime por e sjellë në një mënyrë moderne.

Për pranverën dhe verën e 2022-shit, stilisti njujorkez propozon veshje glamur, veshje të lehta e moderne, ku spikat eleganca e së bardhës dhe të zezës, por edhe ngjyrat e ndezura neon si portokallia dhe jeshilja, në fustane e kostume. Kjo shfaqje shënjoi edhe koleksionin e 40-të të Christian Siriano-s, që kur themeloi shtëpinë e tij të modës në vitin 2008. Java e Modës në Nju-Jork do të zgjasë deri më 12 shtator, me 91 shfaqje në total.