Auto & Moto

Tejkalohen pritshmëritë, “bum” kërkesash për modelin Spectre të Rolls-Royce!

Gjatë një takimi me mediat, drejtori ekzekutiv i Rolls-Royce tha se kërkesat për makinën tërësisht elektrike Spectre i kanë tejkaluar pritshmëritë e tyre, kështu që klientët që porosisin tani makinën e tyre mund ta marrin në vitin 2025. Dërgesat e para janë planifikuar për tremujorin e katërt të këtij viti, por në fakt ato njësi u përkasin klientëve që porositën të parët.

Në fakt nuk është e pazakontë të presësh më shumë se një vit, ndoshta edhe një vit e gjysmë, në segmentin e makinave luksoze. Klientët nuk do të jenë të lumtur të dinë se makina e tyre ultra premium do të mbërrijë pas dy vitesh apo më shumë. Rolls-Royce zakonisht makinat e saj i dorëzon brenda 12-15 muajve, por Spectre është padyshim një rast i veçantë, për të mos përmendur të gjitha personalizimet dhe veçoritë të cilat janë në dispozicion.

Ndërkaq, tregu botëror i makinave është përballur me probleme të shumta në tre vitet e fundit, por ka prodhues makinash që ende arrijnë të përmirësojnë rezultatet e tyre të shitjeve. Rolls-Royce ishte një nga fituesit e papritur të vitit të kaluar me shitje rekord në mbarë botën. Më saktësisht, viti 2022 ishte viti i parë në të gjithë historinë 118-vjeçare të prodhuesit, në të cilin dorëzoi më shumë se 6.000 makina në një vit.