Aktualitet

Ushtroi dhunë mbi grupin e xhirimit, efektivi pezullohet nga detyra!

Është pezulluar nga detyra punonjësi i policisë, i identifikuar si Sh.T., i cili shtyu gazetaren e Top Channel Anila Hoxha dhe një operator drejt greminës në Qafë Mollë, Dajt.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ka urdhëruar Drejtorinë e Standarteve Profesionale në Policinë e Shtetit për nisjen e menjëhershëm të hetimit administrativ me qëllim sqarimin e rastit.

Gazetarja po raportonte detajet e ekzekutimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha që ishte zhdukur prej disa ditësh, ndërsa në një moment, u shty nga punonjësi i policisë.

Efektivi ishte i nevrikosur nga fakti që mediat kishin kaluar shiritin e policisë dhe reagoi me tone të ashpra duke shtyrë gazetaren dhe operatorin. Ata u rrëzuan në tokë, në anë të një gremine. Gazetarja Anila Hoxha pësoi lëndime dhe gërvishtje nga sjellja brutale e policisë.

“Polic je ti ore. Çfarë je ti? Debil”, i thotë në një moment gazetarja Anila Hoxha – efektivit, pasi rrëzohet në tokë.

Pavarësisht se i rrëzoi, polici nuk ofroi në asnjë moment ndihmën e tij për të ngritur gazetaren dhe operatorin që u lënduan nga sjellja e tij. Kujtojmë se gazetarja Anila Hoxha ka siguruar detaje ekskluzive rreth ekzekutimit të biznesmenit Ruzhdi Hoxha.

Policia e Shtetit i konsideron marrëdhëniet me median si prioritare në funksion të mirë-informimit të publikut dhe është e vendosur për të ndëshkuar çdo punonjës policie që performon sjellje të pahijshme duke shpërdoruar detyrën në dëm të imazhit të Policisë së Shtetit dhe cenimit të marrëdhënieve me mediat e qytetarët.