Auto & Moto

Volkswagen do t’i dorëzojë 40 makina elektrike Vatikanit!

Volkswagen njoftoi se do t’i dorëzojë Vatikanit 40 makina elektrike të familjes ID. Është një projekt i Vatikanit i quajtur “Konvertimi Ekologjik 2030”, i cili synon të reduktojë karbonin tek flota e automjeteve. Vatikani planifikon të zëvendësojë secilën prej automjeteve të saj me automjete neutrale ndaj CO2 deri në vitin 2030.

“Ne jemi të kënaqur që mbështesim Vatikanin në këtë projekt të rëndësishëm. Kjo është diçka e veçantë për ne dhe tregon se ne jemi absolutisht konkurrues me zgjidhjet tona të lëvizshmërisë”,-tha Christian Dahlheim, shef i Shërbimeve Financiare të Volkswagen.

Për të festuar marrëveshjen, Dahlheim u nis për në Vatikan me shefen e shitjeve dhe marketingut të Volkswagen, Imelda Labbe dhe pas arritjes ata dorëzuan dy shembuj të modelit ID.3 Pro Performance për të takuar Papa Françeskun. Modelet ID.4 dhe ID.5 do të jenë pjesë e flotës së Vatikanit dhe dërgesat e 38 makinave të mbetura do të fillojnë në fillim të vitit 2024.

Ndërkaq, Volkswagen po pezullon prodhimin e dy modeleve të makinave elektrike në fabrikën e tij në Emden, Gjermani. Linjat e prodhimit janë ndërprerë. Një zëdhënëse e fabrikës tha se atyre u mungojnë motorët elektrikë për modelet e makinave ID.4 dhe ID.7, por se do të vazhdojë prodhimi i modeleve Passat dhe Arteon me motorë me djegie të brendshme. “Vetëm prodhimi i makinave elektrike është ndalur”,- tha zëdhënësja.

Volkswagen Group ka shtyrë gjithashtu vendimin për një fabrikë të katërt të qelizave të baterive duke përmendur kërkesën më të ulët se sa pritej për automjete elektrike në Evropë. CEO, Oliver Blume me anë të një deklarate tha se:

Bazuar në kushtet e tregut, duke përfshirë rritjen e ngadaltë të tregut BEV në Evropë, për momentin nuk ka asnjë arsye biznesi për të vendosur për lokacione të tjera.