Aktualitet

Zyrtare, Muhamet Rrumbullaku në krye të Policisë së Shtetit!

Zyrtarizohet emri, Muhamet Rrumbullaku emërohet drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, post që e merr pas shkarkimit më 31 gusht të Gledis Nanos, “për mospërmbushje të objektivave”. Në përfundim të mbledhjes së sotme të qeverisë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi:

Muhamet Rrumbullaku plotëson të gjitha kriteret për të qenë në krye të Policisë së Shtetit.

Pritet që nesër në orën 09:30, Rrumbullakut t’i dorëzohet flamuri i Policisë, nga drejtori i komanduar, Tonin Vocaj, ndërsa sot pasdite do të prezantohet nga kryeministri Rama.

Muhamet Rrumbullaku u lind më 1 shkurt 1966 në qytetin e Tiranës. Ai është diplomuar “Specialist i Lartë Policie”  në vitin 1988 pranë Akademisë së Policisë, si edhe është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë Tiranë e ka marrë titullin Jurist në vitin 2010.

Rrumbullaku ka një karrierë të gjatë profesionale.  Në datën 24/03/2022, me propozim të Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, kryeministri Edi Rama e emëroi Drejtor të Përgjithshëm të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Më parë ai ka mbajtur pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit. Nga data 17/01/2019 deri më 23/03/2022, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme. Po ashtu ka qenë Këshilltar në Kabinetin e Ministrit të Brendshëm, shef i Seksionit për Trajnimin dhe Shkollimin e Nivelit të Mesëm e të Lartë Drejtues, në Qendrën e Formimit Policor, krahas shumë pozicioneve të tjera.

Ndërkohë, lidhur me deklaratën e Gledis Nanos se “14 kriminelë i kanë shpëtuar Policisë sepse janë dekonspiruar operacionet”, ministri Çuçi tha:

Sigurisht kur nuk e di drejtori i Përgjithshëm i Policisë kur ishte në detyrë vështirë se do ta dijë ministri këtë gjë, kështu që ajo është në hapësirën e informacionit që ka drejtori i përgjithshëm i Policisë.

Ne pa diskutim që do ta hetojmë dhe do ta thellojmë hetimin dhe pa diskutim që do përfshihet edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, i cili ka bërë këtë deklaratë të tillë për të shkuar drejt zbardhjes së të vërtetës dhe për të goditur këdo që dekonspiron nga brenda operacionet e Policisë.