Sport

Zyrtare: Sfida Itali-Argjentinë do të zhvillohet, FIFA jep miratimin!

Italia dhe Argjentina, do të shkruajnë historinë si dy kombëtaret e para që do të garojnë për trofeun që do të quhet “Kupa Maradona”. Diskutimet janë zhvilluar mes UEFA-s dhe CONMEBOL, ndërsa së fundmi edhe FIFA e ka dhënë miratimin për ndeshjen midis kampionëve të Evropës dhe Amerikës së Jugut.

Organi më i lartë i futbollit botëror miratoi duelin ndërmjet Italisë dhe Argjentinës, për nder të Diego Armando Maradona-s. Ndeshja do të luhet në Napoli, në shtëpinë e dytë të Maradona-s, ndërsa mendohet që organizimi të zhvillohet në dhjetor të këtij viti, ose në janar të 2022-shit.

Jo rastësisht, trofeu do të quhet “Kupa Maradona”. Itali-Argjentinë do të luhet në vend të Kupës së Konfederatave, që mbahet që nga viti 1992 dhe herën e fundit u zhvillua në vitin 2017. Legjenda argjentinase, kishte një lidhje të fortë me të dyja vendet, pasi kishte luajtur në Itali për 7 vjet.

Rikujtojmë, se së fundmi, tifozët e Anglisë kanë kërkuar përmes një peticioni që UEFA të rikthejë finalen e “Euro 2020” pas sfidës tronditëse të Giorgio Chiellinit ndaj Bukayo Sakas. Lojtarët e Gareth Southgate u mundën nga Italia gjatë një ekzekutimi penalltish në Wembley ditën e dielë.

Gjatë “Euro 2020” u shënuan shumë gola të bukur. UEFA hapi dje votimin për të përzgjedhur më të bukurin dhe me 800 mijë vota e fitoi ai i Patrick Schick. Sulmuesi i Republikës Çeke realizoi kundër Skocisë në ndeshjen e parë në grupe mes këtyre skuadrave. Schick tentoi me një gjuajtjeje të kalibruar nga 50 metra, duke parë edhe daljen e portierit.

Ndërkaq, UEFA ka nisur procedurë disiplinore për ngjarjet rreth finales së “Euro 2020”, duke përfshirë edhe veprimet e tifozëve të Anglisë brenda dhe rreth stadiumit “Wembley”. Tifozët janë rrahur me pjesëtarët e sigurimit dhe policët, ndërsa janë përpjekur të hyjnë brenda stadiumit ditën e ndeshjes.