Sot GJKKO-ja i rrëzoi kërkesën për zëvendësimin e arrestit me burg Erion Veliajt ndërsa mësohet se kryebashkiaku i Tiranës refuzon avokaten e caktuar kryesisht nga gjykata dhe kundërshton çdo formë mbrojtjeje të realizuar prej saj.
Veliaj argumenton se “ajo nuk ka njohje reale mbi dosjen penale” dhe se një përfaqësim i tillë është në kundërshtim të plotë me interesat dhe strategjinë e mbrojtjes e nuk përfaqëson vullnetin e tij.
Sipas kryebashkiakut, e drejta për mbrojtje, nuk mund të reduktohet në një prani formale avokati, por kërkon njohje efektive të provave dhe aftësi reale për t’i kundërshtuar.
Të premten testoi profesionalisht avokaten e caktuar nga gjykata dhe i rezultoi se nuk kishte njohuri reale mbi dosjen, teksa bëhet fjalë për një çështje voluminoze e komplekse, që sipas standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kërkon periudhë shumë të gjatë e serioze pune për t’u përvetësuar nga një profesionist.
Për këtë arsye, Veliaj nuk pranon që kjo mbrojtje të flasë apo të veprojë në emrin e tij.
Në këtë kontekst, kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë lidhet drejtpërdrejtë edhe me pamundësinë objektive për t’u njohur me dosjen në kushtet e izolimit.
Veliaj këmbëngul se realizimi i të drejtës për t’u njohur me aktet e për të ndërtuar mbrojtjen e tij përbën një shkak autonom dhe thelbësor për zëvendësimin e masës “Arrest në burg”, duke theksuar se asnjë avokat, sado mirë të njohë dosjen, nuk mund të ndërtojë një mbrojtje reale pa bashkëpunim të plotë me të pandehurin e pa njohjen e drejtpërdrejtë personale të çështjes.
Në këto kushte, vijimi i paraburgimit ka humbur proporcionalitetin dhe bie ndesh me standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor. Paraburgimi është kthyer nga nje instrument i mbrojtjes së hetimit, në një instrument dënimi pa gjyq e pa proces të rregullt ligjor.