Auto & Moto

Volvo prezanton automjetin e parë komercial elektrik!

Volvo ka zbuluar modelin e parë komercial plotësisht elektrik, EX30 Cargo, i cili synon përdoruesit biznesorë dhe flotat e automjeteve. Ky automobil bazohet në SUV‑in kompakt elektrik EX30 dhe ofrohet në dy versione; standard dhe Cross Country me lartësi më të madhe nga toka. Për të rritur kapacitetin e ngarkesës, sediljet e pasme janë hequr dhe hapësira është e sheshtë, duke ofruar një kapacitet ngarkese prej 1000 litrash dhe mundësinë për të mbajtur deri në 390 kg mallra.

Një ndarës midis kabinës dhe hapësirës së ngarkesës dhe dritat e punës sigurojnë komoditet dhe dukshmëri optimale për përdoruesit. Volvo EX30 Cargo vjen me tre versionet e motorit; P3 – 150 kuaj/fuqi, P5 – 272 kuaj/fuqi dhe distancë e zgjatur, P8 – 428 kuaj/fuqi me tërheqje në të katër rrotat. Makina ofron dy nivele pajisjesh; Core dhe Plus, duke përfshirë standard Google Automotive, kruizo adaptiv, Apple CarPlay dhe Android Auto pa tela, si dhe një ngarkues 11 kW me pompë të ngrohjes.

EX30 Cargo është tashmë në dispozicion për tregun britanik përmes kanaleve të shitjes së flotës, me çmim fillestar prej 36010 funte (rreth 41600 euro). Me këtë lëvizje, Volvo synon të forcojë praninë e tij në tregun e automjeteve elektrike komerciale, duke kombinuar performancën, prakticitetin dhe qëndrueshmërinë.

Rikujtojmë se finalistët për çmimet prestigjioze World Car Awards 2026 janë shpallur, me makinat elektrike që dominojnë pothuajse çdo kategori. Fituesit do të zbulohen më 1 prill gjatë panairit ndërkombëtar New York Auto Show. Në garën për “World Car of the Year” përballen BMW iX3, Hyundai Palisade dhe Nissan Leaf, duke ofruar një kombinim interesant mes SUV-ve dhe një EV-je të përballueshme. BMW iX3 spikat me performancë të lartë dhe autonomi të madhe, ndërsa Nissan Leaf mbetet një zgjedhje ekonomike me rreze solide lëvizjeje. Në kategorinë “World Electric Vehicle”, iX3 dhe Leaf do të përballen me Mercedes-Benz CLA elektrik.