Kryeministri Edi Rama në një konferencë për mediat nga aeroporti i Rinasit foli në lidhje me ngjarjen horror që u regjistrua dje në Fier, ku u vra në mënyrë monstruoze 8-vjeçari Mateo Vasiu.
Ngjarja në Fier tronditi opinionin publik, ku i mituri u vra nga fqinji i tij, Klodian Çallamani, i cili e rrëmbeu atë, e goditi fatalisht me lopatë në pjesën e pasme të kokës dhe më pas trupin e groposi në oborrin pas shtëpisë.
“E gjithë shoqëria është tronditur me lajmin e ndodhisë tragjike të pasdites së djeshme në Grecalli të Fierit, por mbi të gjitha mbetet e pangushëllueshme për prindërit familjen dhe të afërmit, humbja e vogëlushit Mateo. Nuk e bën më të lehtë peshën e kësaj humbjeje në mendjen e zemrën e nënës, babait dhe familjes, por sidoqoftë pritet me padurim nga të gjithë, është verdikti më ekstremi i drejtësisë mbi barbarin i cili falë reagimit të menjëhershëm dhe identifikimit dhe kapjes nga policia e shtetit, gjendet sot prapa hekurave. Kjo është një nga ato ngjarje që të lënë pa fjalë dhe duke shqyrtuar imtësisht gjatë mbrëmjes së djeshme të gjithë rrjedhën e ngjarjes si dhe profilin e autorit, mbetet shija e tmerrshme e asaj që ka ndodhur. Dhe siç e thashë domosdoshmëria për të reaguar menjëherë në nivelin e drejtësisë. Kështu për të vënë pikën e drejtësisë në këtë episod kaq tronditës. Vëllazërisht u shpreh ngushëllimet prindërve dhe familjes. Fjalët në një rast si ky janë krejt të pafuqishme, por fjalët mbeten dhe pjesa tjetër i mbetet drejtësisë që në këtë rast duhet të jetë e shpejtë dhe domosdoshmërisht në lartësinë e nevojës të opinionit publik për vendimin më ekstrem të Republikës së Shqipërisë. E pata të pamundur të shkruaj një tekst për këtë ngjarje ndaj e bëra këtë sot sëbashku me ju pak përpara nisjes për vizitën zyrtare në Romë.