E ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë sociologia Eva Sinanaj. Ajo ka diskutuar mbi ngjarjen e ndodhur së fundmi, lidhur me krimin e dyfishtë të regjistruar në zonën e Manzës, në Durrës, jashtë një lokali. Çfarë po ndodh sot me shoqërinë sipas sociologes?
Shoqëria shqiptare për fat të keq është në mjegull dhe zymtësi shumë të madhe. Fakti që këto ngjarje të tilla ndodhin në vitin 2025 nga njerëz të rritur, zakonisht në dinamika të tilla si për një fjalë goje ose për një vështrim janë dinamika që ndodhin në mosha adoleshente. Janë dinamika që ndodhin në grupmosha që nuk e mendojnë mirë, janë akoma në kriza identiteti, në vendosje terretori ‘kush je ti e kush jam unë’. Por të na ndodhin në djem të rritur, në burra të mëdhenj, kjo është për të ardhur keq. Kjo tregon që jo vetëm disa institucione të caktuara kanë dështuar, por edhe vetë individi i shoqërisë shqiptare është duke ecur kuturu dhe nuk ka një busull orientimi të mirëfilltë. Çfarë bëjnë këta zotërinj në orën 2 të mëngjesit jashtë? Nuk ishin kalimtarë të rastit viktimat ose ata që janë burgusur tashmë, ishin banorë të të njëjtit fshat, të të njëjtës zonë, të të njëjtës krahinë, të njohur mes tyre. Ne na ka ikur edhe ndjenja e komunitetit, ndjenja e fqinjit të mirë. Ka shumë nëntekste e gjithë ndodhia që ka ndodhur, ka shumë dilema, ka shumë pikëpyetje mbi familjen, ka shumë pikëpyetje mbi djalin dhe mbi burrin shqiptar të ditëve të sotme.
A po jetojmë ne në një shoqëri që e ka humbur kontrollin e impulsit dhe nga çfarë ushqehet gjithë kjo dhunë?
Është një ndjenjë pamjaftueshmërie, një padukshmëri shumë e madhe tek të gjithë brezat, tek të gjitha grupmoshat. Unë do të kisha një thirrje sociologjike për të gjithë, duhet t’i largohemi dukjes dhe t’i largohemi kësaj jete të shfrenuar dhe t’i kthehemi gëzimeve të vërteta që kemi në jetën tonë.