Këngëtari i njohur Yll Limani ka rrëfyer hapur emocionet, dilemat dhe prapaskenat që fshihen pas albumit të tij më të ri, gjatë një interviste së fundmi.
Artisti tregoi se muzika për të nuk është thjesht krijimtari, por një formë çlirimi emocional dhe një urë e sinqertë lidhjeje me publikun. Sipas tij, këngët janë menduar si një mbështetje për njerëzit që ndihen të lodhur apo të mbingarkuar emocionalisht.
Vëmendje të veçantë mori kënga “Kthem”, e vendosur si kënga e fundit në album dhe e dedikuar për mërgimtarët. Limani pranoi se ka pasur hezitime për publikimin e saj, nga frika se mos interpretohej si një përpjekje për të fituar simpati nga diaspora.
Ai e përshkroi procesin e punës në album si një përvojë të thellë personale, të ngjashme me një seancë psikologjike, ku është përballur me ndjenjat e tij dhe ka bërë një “pastrim të brendshëm”.
Në këtë kontekst, Ylli shpjegoi edhe mesazhin e albumit “Thirrëm sot ose nesër”, i cili nxit njerëzit të jenë më të hapur me emocionet e tyre dhe të mos e shtyjnë komunikimin dhe afërsinë me ata që duan.
Me këtë projekt, Yll Limani konfirmon edhe një herë statusin e tij si një nga artistët më të dashur dhe më të suksesshëm të skenës muzikore shqiptare.