Sipërmarrësja dhe influencuesja e njohur Kylie Jenner ka zbuluar se në të ardhmen dëshiron ta zgjerojë familjen e saj, duke pranuar se e sheh veten me më shumë fëmijë. Në një intervistë për revistën “Vanity Fair”, Jenner tregoi se para se të mbushë 30 vjeç dëshiron të fokusohet më shumë tek vetja, karriera dhe koha me dy fëmijët e saj. “Gjatë fundit të të 20-ave dua të përqendrohem te vetja, biznesi im, puna dhe udhëtimet me fëmijët e mi. Dua ta shijoj këtë periudhë me ta”, u shpreh ajo. Megjithatë, sipas saj, pas kësaj faze do të dëshironte të kishte edhe fëmijë të tjerë.
Aktualisht, 28-vjeçarja është nënë e dy fëmijëve. Kylie u bë nënë për herë të parë në vitin 2018, kur solli në jetë Stormi-n nga lidhja me reperin Travis Scott. Katër vite më vonë, ata mirëpritën edhe djalin e tyre, Aire. Çifti u nda në fillim të vitit 2023. Pas ndarjes, Jenner nisi një romancë me aktorin Timothée Chalamet. Në një intervistë për “Vogue” në nëntor të vitit 2025, aktori la të kuptohej se ideja për të pasur fëmijë në të ardhmen është diçka që ai e sheh si një mundësi reale në horizont.
Miliarderja dhe partneri i saj Timothée Chalamet thuhet se kanë nënshkruar një kontratë martesore me vlerë marramendëse 100 milionë dollarë. Sipas një postimi viral të publikuar nga Hoops Crave në platformën X, themeluesja e Kylie Cosmetics dhe aktori i filmit Wonka kanë rënë dakord të martohen në fund të vitit 2026, si pjesë e një marrëveshjeje biznesi. Sipas këtij pretendimi, plani synon të rrisë shikueshmërinë e serialit reality The Kardashians, duke lënë të kuptohet se lidhja e tyre mund të ketë edhe dimension strategjik, përtej aspektit romantik. Një martesë e mundshme do të paraqitej si një event i madh televiziv.
Ndërkaq, ylli televiziv po përballet me reagime të ashpra pas një videoje në TikTok ku promovoi një produkt xheli viral për heqjen e oreksit – që përdoruesit në internet e kanë pagëzuar si “Korean Ozempik”. Kritikat kanë ardhur pasi shumë e konsiderojnë të papërgjegjshme promovimin e këtij lloj suplementi, sidomos për ndjekësit e rinj ose ata që mund të kenë çrregullime të të ngrënit.