Kopertina e fundit e Kylie Jenner për numrin pranveror të Vanity Fair ka shkaktuar një valë të fortë reagimesh në rrjetet sociale, ku shumë fansa kanë kritikuar pamjen e saj në fotosesion.
Sipërmarrësja 28-vjeçare u shfaq në kopertinë e veshur me një sytjena të zezë dhe pantallona stil kalorësi, ndërsa pozonte në një shtrat me një cigare në gojë. Fotografia, e publikuar në Instagram nga revista, u bë menjëherë virale dhe nxiti debate të shumta online.
Shumë përdorues në rrjetet sociale thanë se në fillim nuk e kishin njohur Jenner, pasi sipas tyre toni i lëkurës dukej më i errët se zakonisht.
Kjo solli edhe akuza për të ashtuquajturin fenomen “Blackfishing”, term që përdoret kur dikush ndryshon pamjen për t’u dukur si pjesë e një etnie tjetër.
Komentet kritike nuk munguan. Disa përdorues shkruan se fotografia i bëri të mendonin fillimisht se ishte një person tjetër, ndërsa të tjerë pyetën pse dukej sikur kishte “ndryshuar etni”.
Një tjetër pikë kritike ishte edhe fakti që Kylie Jenner shfaqej duke pirë cigare në kopertinë.
Disa komentues e kritikuan këtë zgjedhje duke thënë se nuk është e përshtatshme të “promovohet” apo “romantizohet” duhani në vitin 2026.
Kjo nuk është hera e parë që Jenner përballet me akuza të tilla. Në vitin 2021 ajo u kritikua gjithashtu në rrjetet sociale pasi publikoi një video ku dukej me një ngjyrë lëkure shumë më të errët se zakonisht.
Megjithatë, pavarësisht polemikave, Kylie Jenner mbetet në qendër të vëmendjes edhe për intervistën që shoqëron fotosesionin.
Në të, ajo flet për jetën personale dhe marrëdhënien e saj me aktorin Timothée Chalamet, duke treguar se dëshiron të ketë edhe më shumë fëmijë në të ardhmen.
Ylli i reality show-ve është tashmë nënë e dy fëmijëve, Stormi dhe Aire, nga lidhja e saj e mëparshme me reperin Travis Scott. Ndërkohë, marrëdhënia e saj me Timothée Chalamet vazhdon të tërheqë interes të madh nga publiku dhe media.