Bota

Zelensky mesazh Trump-it për Festën e Falenderimeve: Presim rezultate nga diplomacia

Me javën e ardhshme që rezervon bisedime të tjera mes delegacioneve amerikane dhe atyre ruse në Moskë, Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky thotë se pret rezultate pozitive nga lëvizjet diplomatike. Ai iu drejtua homologut të tij amerikan Donald Trump me një mesazh në rrjetin social X për Festën e Falenderimeve, ku thotë se ukrainasit janë mirënjohës për mbështetjen e amerikanëve.

“E vlerësojmë thellësisht gjithë mbështetjen që ka shpëtuar kaq shumë jetë në Ukrainë dhe na ndihmon të mbrojmë çdo ditë pavarësinë tonë. Jemi shumë të lumtur që marrëdhëniet tona janë konstruktive dhe presim përparime të mëtejshme pozitive në diplomaci, për t’i dhënë më në fund, fund përgjithmonë luftës së Rusisë kundër popullit tonë”, shkruan Zelensky në mesazhin e tij drejtuar Presidentit amerikan.

Ndërkohë Vladimir Putin konfirmon vizitën e delgeacionit amerikan në Moskë javën e ardhshme. Interfax, citohon Presidentin rus, të ketë thënë se Moska është gati të zhvillojë bisedime serioze mbi propozimet e deritanishme, ndërsa ka vlerësuar planin e Donald Trump. Putin shpjegon kushtet në të cilat ushtria e tij do të ndalonte sulmet ndaj Ukrainas.

“Janë zhvilluar negociata në Gjenevë midis delegacionit amerikan dhe atij ukrainas. Ata kanë vendosur mes tyre, kështu siç kam kuptuar, që të gjitha këto 28 pika të ndaheshin në katër përbërës të veçantë. Dhe e gjithë kjo na është përcjellë. Kjo mund të shërbejë si bazë për marrëveshje të ardhshme, ne jemi gati t’i diskutojmë seriozisht. Pritet një delegacion amerikan javën e ardhshme. Rusia do t’i ndalojë sulmet kur trupat ukrainase të jenë tërhequr nga Donbasi, përndryshe, Moska do t’i arrijë objektivat e saj me mjete ushtarake”, tha Presidenti rus në një bisedë me gazetarët, pasi kthimit nga një vizitë zyrtare në Kirgistan.