Aktualitet Rajoni

Zgjedhjet në Kosovë/ EULEX-i vijon monitorimin e sigurisë në mbarë vendin!

EULEX-i përmes patrullave të tij tokësore është duke monitoruar situatën e sigurisë në mbarë Kosovën me rastin e ditës së zgjedhjeve.

Shefi i EULEX-it Giovanni Pietro Barbano tha se ky monitorim bëhet për ushtrimin e lirë të së drejtës së votës duke u fokusuar veçanërisht në komunitetet joshumicë.

“Aktualisht në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet. EULEX-i, përmes patrullave të tij tokësore të mbikëqyrura nga Qendra jonë për Situatë dhe Koordinim, është duke monitoruar situatën e sigurisë në mbarë Kosovën për ushtrimin e lirë të së drejtës së votës duke u fokusuar veçanërisht në komunitetet joshumicë”, ka shkruar Barbano në “X”, tha ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar pjesëmarrjen në votime. Sipas të dhënave zyrtare, deri në 11:00, ka votuar 169,435 qytetarë me të drejtë vote, nga 1,970,944 në total. Shprehur në përqindje, 8.60% prej tyre.

Kryetari i KQZ, Kreshnik Radoniqi bëri një krahasim me pjesëmarrjen në zgjedhje në vitin 2021, kur deri në orën 11:00 kishin votuar 8.3 e qytetarëve me të drejtë vote. Pra, këto zgjedhje kemi një rritje me vetëm 0.3%.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, gjatë konferencës për media tha se procesi po shkon normalisht.

I pyetur nëse ka pasur probleme për hapjen e qendrave të votimit, Radoniqi tha se ka pasur disa probleme në qendrat e votimit me kusht, që kanë të bëjnë me llogaritë për ato qendra. Por tha se procesi është në rregull.