Aktualitet

Zjarret/ Kosova ndihmon Kukësin. Vjosa Osmani autorizon dërgimin e zjarrfikëseve në ndihmë të Shqipërisë.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për t`i ofruar ndihmë Shqipërisë në shuarjen e zjarreve, Presidentja Vjosa Osmani, në cilësinë e komandantes supreme, ka nënshkruar autorizimin për dërgimin e trupave dhe pajisjeve të FSK-së në operacion humanitar dhe në të njëjtën kohë e ka informuar për këtë veprim Kuvendin e Kosovës.Trupat dhe pajisjet FSK-së, do t`i vihen në dispozicion autoriteteve shqiptare me qëllim të shuarjes dhe vënies në kontroll të zjarreve.
Trupat dhe paisjet pritet të mbërrinje në Kukës ku do të ndihmojnë në shuarjen e zjarrit. Ndërkohë nga momenti në moment ata do të kalojnë Morinën. Pas mbërritjes trupat do të akomodohen në Kukës për t’u nisur nesër në mëngjes te vatrat e zjarreve.

Situata në Kukës

Një vatër zjarri në Kukës është shndërruar në një problem serioz, pasi flakët të ndihmuar edhe nga era rrezikojnë të përfshijnë një lagje në fshatin Shëmri. Janë marrë masat e evakuimit të banorëve bashkë me bagëtitë, ndërkohë që është kërkuar ndihmë nga Kosova dhe pritet ardhja e forcave ndihmëse të ushtrisë dhe zjarrfikëses. Aktualisht forcat e ushtrisë dhe zjarrfikëset janë përqendruar në zonën e tunelit të Kalimashit, ku si pasojë e erërave të forta dhe terrenit zjarri është përhapur drejt fshatit Shëmri, ndërsa në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës është bërë i mundur izolimi i flakëve.

Ndërkohë që zjarri në Majën e Rrunës në Kukës vijon të jetë ende jashtë kontrollit, sidomos në pjesë sipër tunelit të Kalimashit ku ndërhyrja është e vështirë. Edhe gjatë ditës së sotme helikopteri ka ndërhyrë sërish për të bërë të mundur vënien nën kontroll të flakëve. Në fikjen e zjarrit janë angazhuar 12 forca zjarrfikëse, 5 punonjës të pyjores, 20 forca nga komunitet, mjet zjarrfikës si dhe forca te emergjencës civile te Bashkisë Kukës. Edhe një vatër e re zjarri ka përfshirë masivin pyjor të Ahishteve në zonën e Mokrës në Pogradec e njohur si Guri i Nikës.

Problematike vijon edhe situata në fshatin Thirrë, në Fan të Mirditës, ku zjarri është aktiv dhe rrezikon të afrohet në lagjen Gështenjë dhe në lagjen Karaq. Në terren po punojnë forcat e Armatosura, zjarrfikës e të shërbimit pyjor, për të bërë të mundur frenimin e vatrës, gjë që duket mjaft e vështirë. Në fshatin Munellë si pasojë e erës së fortë zjarri është riaktivizuar dhe po zbret drejt fshatit Domgjon.