Në Kosovë, Agjencia e Menaxhimit Emergjent njoftoi se 12 orët e fundit, ra ndjeshëm numri i zjarreve pas pasdites së djeshme, kur “situata paraqitej e rënduar”. Sipas Agjencisë, aktualisht mbetet aktive vetëm një vatër në fshatin Trudë në Komunën e Prishtinës.
Si rezultat i temperaturave të larta dhe erërave të forta, në shumë zona të Kosovës ishin përhapur zjarre një ditë më parë. Një zjarrfikës mbeti i lënduar në Ferizaj gjatë ndërhyrjes për shuarjen e flakëve. Në njoftimin e djeshëm të agjencisë, thuhej:
Raporti i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të raportuara vetëm në gjashtë orët e fundit. Prej tyre, 48 janë ende aktive, ndërsa 53 janë lokalizuar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “gjendja e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet”.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile.
Në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës, pati një ndërhyrje me helikopter nga KFOR-i. Agjencia iu bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në mjedise të jashtme e të lajmërojnë zjarrvëniet në numrat 112, 193 e 192. Më herët, kjo agjenci kishte thënë se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.
Ende nuk dihet se sa dëme u shkaktuan. Më herët gjatë këtij muaji janë publikuar shumë video në rrjete sociale që tregonin si përfshiheshin nga zjarret arat e mbjella me grurë.
Sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit të kaluar, në Kosovë ishin regjistruar 94 zjarre, duke djegur gjithsej një sipërfaqe me 12 mijë e 79 hektarë pyje e shkurre.