Rajoni

Mbi 100 zjarre në Kosovë, një zjarrfikës i lënduar!

Agjencia e Menaxhimit Emergjent bëri të ditur se për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta, në disa zona të Kosovës janë përhapur zjarre. Agjencia njoftoi se një zjarrfikës mbeti i lënduar në Ferizaj gjatë ndërhyrjes në një operacion për shuarjen e flakëve.

Raportimi i djeshëm i Qendrës Operative të Agjencisë tregon një rritje në numrin e vatrave të zjarrit, me gjithsej 101 raste të njoftuara vetëm në orët e fundit. 48 prej tyre ende janë aktive, ndërsa 53 të tjera u lokalizuan.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se gjendja është e vështirë dhe kërkon veprim të shpejtë e të bashkërenduar nga të gjitha institucionet.

Institucionet e Republikës së Kosovës janë të mobilizuara për të ofruar ndihmën e nevojshme. FSK-ja është në gjendje gatishmërie të plotë dhe e gatshme të ofrojë mbështetje të menjëhershme në rast se kërkohet nga autoritetet komunale apo ato qendrore për emergjencat civile, deklaroi Osmani.

Në fshatin Zasellë të Komunës së Mitrovicës, pati edhe ndërhyrje nga ajri me një helikopter të KFOR-it. Agjencia iu bëri thirrje qytetarëve që të mos ndezin zjarre në mjedise të jashtme, si dhe të lajmërojnë për zjarrvëniet në numrat e emergjencave 112, 193 dhe 192.

Më herët, kjo agjenci bëri të ditur se shumica e zjarreve masive në Kosovë shkaktohen nga dora e njeriut.  Edhe pse Agjencia e Menaxhimit Emergjent nuk ka specifikuar zonat ku janë përhapur zjarre, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, raportoi për flakë në disa fshatra të kësaj komune.

Kushdo që ka mundësi e që ka pajisje per shuarje të zjarrit, le të ndihmoj në hapësirën Dubravë-Sallagrazhdë-Mushtisht, shkroi Muharremaj në Facebook.

Ende nuk dihet se sa dëme janë shkaktuar, por më parë gjatë këtij muaji u publikuan shumë video në rrjete sociale që tregonin se si arat e mbjella me drithëra si grurë përfshiheshin nga zjarret.

Sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), gjatë vitit të kaluar, në Kosovë u regjistruan 94 zjarre, duke djegur gjithsej 12 mijë e 79 hektarë pyje dhe shkurre.