Bota

Zjarret shkatërruese në Francë, Itali dhe Spanjë/ Si po ndikon vala e nxehtësisë ekstreme në Europën Jugore!

Europa jugore po përballet me një valë të nxehtësisë ekstreme, me temperatura që arrijnë deri në 42°C, ndërsa shkencëtarët paralajmërojnë për një “koktej molotov” klimatik që po ushqen zjarret e mëdha në zonat e Mesdheut.

Në Francë, Météo-France ka vendosur më shumë se gjysmën e vendit nën paralajmërim për valë të nxehti, me 12 nga 96 njësitë administrative në territorin e kontinentit nën alarmin e kuq më të lartë. Ndërsa në Spanjë, agjencia Aemet ka lëshuar paralajmërime për “rrezik ekstrem” në Zaragoza dhe rajonin Bask, duke vendosur sinjale të verdha dhe portokalli për pjesën tjetër të vendit. Parashikimet e të dy agjencive të motit tregojnë:

Temperatura mbi 40°C në ditët e ardhshme, duke kërkuar vigjilencë të lartë për shkak të një vale të nxehti shumë intensive dhe të jashtëzakonshme në pjesë të ndryshme të kontinentit.

Temperaturat e larta kanë alarmuar ekspertët, ndërsa zjarrfikësit përpiqen të përmbajnë zjarret shkatërruese, shkruan Guardian. Në Francë, ku u kontrollua zjarri më i madh që nga viti 1949, u raportua një person i vdekur dhe 20 zjarrfikës së bashku me pesë civilë të lënduar. Në Itali, ku priten temperatura prej 40°C në Firence të mërkurën, u mbyllën rrugët turistike në Malin Vezuv të dielën, ndërsa zjarrfikësit luftonin me flakët në shpatet e vullkanit.

Në Spanjë, zjarret që shpërthyen në León dhe Zamora të dielën detyruan më shumë se 1,000 persona të largoheshin nga shtëpitë e tyre, ndërsa zjarret e mëdha vazhduan të digjen në Galicia. Cristina Santín Nuño, shkencëtare për zjarret në Këshillin Kombëtar të Kërkimeve në Spanjë, tha se:

Numri i madh i zjarreve ishte i pritshëm pas një pranvere të lagësht që ndihmoi rritjen e bimësisë, e ndjekur nga një nxehtësi ekstreme, erëra të forta dhe periudha të gjata pa shi.