Një person u arrestua nga policia e Maliqit pasi dyshohet se ndezi zjarr me qëllim hapjen e kullotave dhe si pasojë e përhapjes së flakëve u dogj një sipërfaqe toke me bimësi e shkurre. Për flakët e një dite më parë në vendin e quajtur “Arat e Sulës”, mbi fshatin Leminot, në pranga ra një shtetas 26 vjeçar me banim në fshatin Pirg.
Njoftimi zyrtar:
Policia njoftoi sot se është vënë në pranga shtetasi G. A., 26 vjeç, banues në fshatin Pirg.
Sipas Policisë, nga hetimet dyshohet se ky shtetas, më datë 30.07.2025, rreth orës 15:00, ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Arat e Sulës”, mbi fshatin Leminot, me qëllim hapjen e kullotave të reja, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.