Kolesteroli i lartë nuk jep gjithmonë shenja të dukshme, por pasojat e tij mund të jenë serioze. Ja 13 gabime të zakonshme që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e yndyrnave në gjak dhe që shpesh i neglizhojmë:
1. Nuk bëni analiza
Nëse nuk kontrolloni kolesterolin të paktën një herë në vit, nuk e dini ku qëndroni. Pas moshës 20 vjeç rekomandohet analizë gjaku çdo 4–6 vjet, ndërsa pas të 40-ave më shpesh, sipas këshillës së mjekut.
2. Nuk njihni normat
LDL (“i keqi”) duhet të jetë deri në 130 mg/dl, HDL (“i miri”) mbi 40 mg/dl dhe trigliceridet deri në 150 mg/dl. Vlerat e larta dëmtojnë enët e gjakut dhe rrisin rrezikun për infarkt apo goditje në tru.
3. Injoroni aktivitetin fizik
Ecja, ushtrimet në shtëpi apo palestra ndihmojnë në uljen e LDL-së dhe rritjen e HDL-së. Edhe 30 minuta në ditë bëjnë diferencë.
4. Zgjidhni jetën sedentare
Ashensori, makina për çdo distancë dhe orë të gjata në divan ndikojnë në shtim peshe, tension të lartë dhe probleme kardiovaskulare.
5. Pini duhan
Duhani ul kolesterolin “e mirë” dhe rrit atë “të keq”. Lënia e tij përmirëson ndjeshëm shëndetin e enëve të gjakut.
6. Nënvlerësoni mbipeshën
Dhjami abdominal rrit LDL-në dhe ul HDL-në. Humbja e 10% të peshës trupore mund të ulë ndjeshëm kolesterolin.
7. Konsumoni shumë yndyrna shtazore
Sallamrat, proshutat, mishi i kuq dhe produktet me yndyrë të ngopur si gjalpi e djathi rrisin kolesterolin “e keq”.
8. Hani yndyrna trans
Ushqimet industriale, fast food-et, ëmbëlsirat dhe brumërat e përpunuar përmbajnë yndyrna të hidrogjenizuara që rrisin rrezikun për sëmundje zemre.
9. Shmangni yndyrnat e mira
Vaji i ullirit, peshku (si sardelja e salmoni), arrat dhe avokado ndihmojnë në mbajtjen nën kontroll të kolesterolit.
10. Nuk konsumoni fibra
Tërshëra, buka integrale, bishtajoret dhe perimet ndihmojnë në uljen e yndyrnave në gjak.
11. E teproni me alkool
Konsumi i lartë i alkoolit rrit trigliceridet dhe dëmton metabolizmin e yndyrnave.
12. Hani shpesh ëmbëlsira
Sheqernat e tepërt shndërrohen në trigliceride dhe kolesterol në mëlçi, duke rritur rrezikun metabolik.
13. Injoroni sëmundjet shoqëruese
Tensioni i lartë, diabeti, problemet me tiroiden apo mëlçinë ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin e yndyrnave. Menaxhimi i tyre ndihmon edhe në stabilizimin e kolesterolit.
Kujdesi për zemrën fillon me zgjedhje të vogla të përditshme. Ndryshimet në stilin e jetesës mund të bëjnë diferencën mes rrezikut dhe mbrojtjes afatgjatë të shëndetit.