Aktualitet

31 marsi po afron, Tatimet thirrje qytetarëve dhe bizneseve: Dorëzoni deklaratat vjetore pa pritur ditën e fundit

31 marsi është afati i fundit për dorëzimin e deklaratave tatimore vjetore për vitin 2025 dhe Administrata Tatimore po u bën thirrje tatimpaguesve të mos e lënë për ditët e fundit.

Sipas njoftimit zyrtar të bërë nga ministri Petrit Malaj, dorëzimi i deklaratave para mbylljes së afatit ndihmon në shmangien e vonesave dhe problemeve që mund të krijohen nga fluksi i lartë në sistem në fund të procesit.

Shifrat tregojnë se një numër i lartë tatimpaguesish e kanë kryer tashmë këtë detyrim. Deri tani, 79,925 tatimpagues kanë dorëzuar deklaratën për të ardhurat personale nga biznesi, 15,306 kanë dorëzuar deklaratën mbi të ardhurat e korporatave, ndërsa rreth 89,199 individë kanë paraqitur deklaratën e të ardhurave vjetore personale.

Administrata Tatimore thekson se deklarimi në kohë shmang jo vetëm mbingarkesën e sistemit, por edhe penalitetet që mund të vijnë nga mosdeklarimi ose deklarimi me vonesë.

Për çdo paqartësi apo ndihmë, tatimpaguesit mund të kontaktojnë Qendrën e Thirrjeve në numrin pa pagesë 0800 0002.