Sport

Abdyl Kuriu, Drejtori i ri Teknik i FSHF-së!

Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së ka plotësuar shumë shpejt vendin e lënë vakant në javët e fundit në organigramën e këtij institucioni. Në mbledhjen e zhvilluar sot, është emëruar Drejtori i ri Teknik i FSHF-së.

Ky post ishte mbajtur për më shumë se tre vite nga italiani Fulvio Pea, i cili mbylli bashkëpunimin me FSHF-në dhe është në bisedime me Interin për t’u bërë përgjegjësi i ekipit U23 të zikaltërve. Vendin e tij tashmë e ka marrë Abdyl Kuriu, ish-futbollisti i njohur kavajas i cili për 4 mandate kishte qenë pjesë e Komiteti Ekzekutiv të FSHF-së, si një nga njerëzit më të besuar të presidenti Duka.

Ai ishte në garë edhe në zgjedhjet e muajit të kaluar, por u tërhoq në mënyrë të papritur pak ditë para Asamblesë, për t’u emëruar tashmë në këtë detyrë të re nga ish-homologët e tij.

LEXO EDHE: FSHF dhe Drejtori Teknik, Fulvio Pea mbyllin bashkëpunimin pas tre vitesh e gjysmë!

“Komiteti Ekzekutiv miratoi emrin e Abdyl Kuriut në detyrën e Drejtorit të ri Teknik të FSHF-së. Ish-anëtar për 16 vite në Komitetin Ekzekutiv, Kuriu sjell një përvojë të gjerë në fushën e futbollit, si edhe një kontribut të vyer në aspektin akademik dhe institucional. Falë eksperiencës së tij shumëvjeçare dhe njohjes së thellë të strukturave të federatës, ai është konsideruar një profil i përshtatshëm për të adresuar sfidat dhe për të çuar përpara projektet zhvillimore të futbollit shqiptar. Komiteti Ekzekutiv vlerësoi maksimalisht emrin e Abdyl Kuriut, duke e miratuar atë me votë unanime”, shkruhet në njoftimin e FSHF.

LEXO EDHE: A do të jetë Sylvinho trajneri i Kombëtares? Ja çfarë thotë Armand Duka