Bota

Acarohet situata në kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, NATO gati të nisë trupat/ Kryeministri Polak akuzon Rusinë si shkaktare të krizës

NATO u shpreh e gatshme të ndërhyrjë nëse përshkallëzohet situata në kufirin polak, ku janë dyndur me mijëra emigrantë që kalojnë që Bjellorusia. “Nëse do do të jetë e nevojshme, nuk do të ngurrojmë t`i vijmë në ndihmë aleaetëve tanë për të garantuar sigurinë në rajon”, tha një zëdhënës i Aleancës.

Gati 4 mijë emigrantë besohet të jenë grumbulluar pranë gardhit që ndan dy vendet, ku kanë ngritur tenda e presin momentin për të kaluar në anën tjetër e për të hyrë në BE. Polonia paralajmëroi një përshkallëzim të mundshëm të armatosur në kufirin e saj me Bjellorusinë. Qeveria polake akuzon Bjellorusinë se po i drejton qëllimisht emigrantët drejt kufirit, si pjesë e një ‘lufte hibride’.

Disa prej tyre u përpoqën të çanin gardhin me tela dhe rojat kufitare polake përdorën gazin lotsjellës për t’i shpërndar. Autoritetet polake thanë se janë arrestuar dhjetëra emigrantë. “Në 24 orët e fundit kemi pasur 309 përpjekje të paligjshme për të kaluar kufirin.

Roja Kufitare ka lëshuar 85 urdhra për largim nga territori i Polonisë. Shtatëmbëdhjetë të huaj u arrestuan dhe do t’i nënshtrohen një procedure administrative”, deklaroi zëdhënësja e Rojave Kufitare polake, Katarzyna Zdanoëicz. Emigrantët janë nga Afganistani, Lindja e Mesme dhe Afrika, kryesisht të rinj, por edhe disa gra dhe fëmijë.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki akuzoi Rusinë se e ka shkaktuar krizën. Ai tha se presidenti Putin ishte porosidhënësi, ndërsa udhëheqësi bjellorus Lukashenko ishte vetëm zbatuesi i përshkallëzimit të fundit. Ministria e Jashtme e Francës tha se Bjellorusia po nxit lëvizjen e refugjatëve me synimin për të destabilizuar BE.

Qeveria e Minskut i hedh poshtë këto akuza. Lukashenko zhvilloi sot biseda telefonike me Putin. Të dy shprehën shqetësimin për vendosjen e trupave të rregullta polake në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë.

Policia polake ndaloi sot një autobus me aktivistë gjermanë për refugjatët. Automjeti i nismave Seebrücke Deutschland dhe LeaveNoOneBehind nuk u lejua të vazhdonte në drejtim të lindjes në mbrëmje, disa kilometra përpara postës kufitare të Kuznicës. Një zëdhënës i grupit tha se ata donin të jepnin një shenjë solidariteti.

Parlamenti i Lituanisë vendos gjendje të jashtëzakonshme

Parlamenti i Lituanisë ka vendosur një gjendje të jashtëzakonshme në zonën kufitare me Bjellorusinë. Ajo do të fillojë në mesnatë me orën lokale dhe të zgjasë një muaj. Më pas, kufitarët do të lejohen, ndër të tjera, të përdorin forcën për të parandaluar hyrjen e emigrantëve në Lituani.

Situata në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë mbetet e tensionuar. Sipas raportimeve, rreth 2.000 emigrantë mbahen atje dhe duan të arrijnë në BE përmes Bjellorusisë. Ata kishin tentuar të kalonin kufirin dje pa sukses. Polonia ka rritur forcat e sigurisë atje dhe ka mbyllur një postë kufitare aty pranë. Prej disa kohësh në rajon është në fuqi gjendja e jashtëzakonshme.

Edhe Komisioni Evropian dhe shumë shtete anëtare e kanë akuzuar sërish liderin bjellorus Lukashenko për sjelljen e qëllimshme të emigrantëve, për shembull nga Lindja e Mesme, në kufijtë e BE-së. Prandaj, vendet e BE-së duan të forcojnë sanksionet kundër atyre që janë përgjegjës në Bjellorusi, për shembull duke e vështirësuar lëshimin e vizave. Qeveria në Minsk i hedh poshtë këto akuza.