Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit sërish ka thirrur qytetarët në protestë nesër në orën 17:30, pranë rrënojave të godinës së mëparshme të Teatrit Kombëtar. Në atë të një ditë më parë, u kërkua hetim ndërkombëtar për aktin e shembjes si dhe dorëheqja e Kryebashkiakut Veliaj e Kryeministrit Rama. Aktivistët paralajmëruan se protestat e tyre nuk do të ndalen.
Me disa foto nga Teatri i rikonstruktuar i Operas dhe Baletit, kryeministri Rama shpreh keqardhjen që sipas tij, “yje të skenës sonë kombëtare u shuan, pa punuar dot një ditë në një skenë normale e një gjeneratë e tërë u moshua, pa shijuar dot kurrë një shfaqje në kushte normale!”. Në një mesazh në rrjetet sociale, Rama shkruan se “Skenat e reja kombëtare, kjo e Operas e Baletit dhe ajo e Teatrit Kombëtar, përveç të tjerash do t’i ndihmojnë edhe disa të rinj që gabimisht u janë “bashkuar” ca politikanëve e partive si tallashi e teneqeja e ngrehinës së shembur, të kuptojnë nesër pse sot ia fusin krejt kot, kur revoltohen për monumentin imagjinar që mbajti peng artet skenike, komunitetin teatror dhe debatin për Teatrin e Ri Kombëtar, tash 21 vjet”.