Aktorja e njohur e serialit “Modern Family”, Ariel Winter, ka treguar së fundmi arsyet që e çuan të largohej nga Los Angeles, për të nisur një jetë më të qetë me partnerin e saj, aktorin Luke Benward.
Në një intervistë për revistën “People”, 27-vjeçarja rrëfen se, ndonëse e nisi karrierën që në moshën katërvjeçare dhe fitoi famë me rolin e Alex Dunphy-t në moshën 11-vjeçare, jeta reale për të nuk ishte aspak e lehtë.
Ariel tregon se gjatë viteve të adoleshencës ka qenë vazhdimisht nën presionin e kritikave dhe komenteve negative në media dhe rrjetet sociale.
Në çdo titull shkruhej se dukesha keq, isha shtatzënë apo isha e shëndoshë… dhe isha vetëm 14 vjeçe
– tha ajo, duke shtuar se kjo i shkatërroi vetëbesimin.
Winter ka përjetuar gjithashtu trauma familjare, pasi në moshën 14-vjeçare akuzoi nënën e saj për abuzim dhe u vendos nën kujdestarinë e motrës së saj më të madhe, Shanelle Gray.
Pas përfundimit të serialit “Modern Family” në vitin 2020 dhe me ndihmën e terapisë, Ariel vendosi të largohej nga Los Angeles dhe të vendosej në një vend më të qetë.
Nuk lashë industrinë, thjesht lashë qytetin. Kam kujtime të këqija për të. Jam e re dhe nuk kam jetuar kurrë diku tjetër, ndaj mendova – pse jo?
Aktorja theksoi se mbetet aktive në botën e aktrimit dhe nuk e përjashton rikthimin në Los Angeles në të ardhmen nëse i shfaqet një projekt i ri.