Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio sapo ka zbarkuar në Paris, Francë.
Ai do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron për përfundimin e luftës në Ukrainë.
I dërguari i posaçëm Steve Witkoff gjithashtu pritet të bashkohet me Rubio për ato bisedime, por mesa duket ende nuk ka mbërritur.
Sipas burimeve diplomatike, përfaqësuesit evropianë do t’i kërkojnë Uashingtonit të ushtrojë presion më të madh ndaj Moskës, për të detyruar një armëpushim pa kushte.
Pas takimeve me presidentin Emmanuel Macron dhe ekipin e tij, Rubio dhe Witkoff do të zhvillojnë gjithashtu bisedime të ndara me zyrtarë të lartë francezë dhe gjermanë, si dhe me këshilltarët e sigurisë kombëtare evropianë.
Moska nuk ka pranuar ta nënshkruajë një marrëveshje të gjerë armëpushimi, e cila u propozua nga presidenti amerikan, Donald Trump. Ukraina e ka pranuar atë tashmë.
Rusia ka thënë se çdo marrëveshje është e kushtëzuar me ndalimin e përpjekjeve për mobilizim nga Kievi, si dhe me ndërprerjen e furnizimit të Ukrainës me armë nga Perëndimi. Këto kërkesa janë hedhur poshtë nga Ukraina.
Megjithatë, Witkoff tha së fundmi për Fox News se beson që një marrëveshje për paqe është “duke ndodhur”.
Ai tha se ka dëgjuar “cilat janë kërkesat e Putinit për një paqe të përhershme këtu”, duke shtuar se bëhej fjalë “për të ashtuquajturat pesë territore”. Kjo i referohet pjesëve të Ukrainës të pushtuara pjesërisht nga Rusia.