Aktualitet

Atentati në Lezhë, 4 në kërkim/Mes tyre, objektivi Merando Nikulaj!

“Mos lëvizni, policia!”. U prezantuan si policë 7 personat që mbrëmjen e 1 shkurtit hynë brenda berberhanes në fshatin Rrilë të Lezhës, duke plagosur Sokol Dacin.

Të kamufluar dhe me kapuç në kokë, 5 prej tyre ishin të armatosur me armë zjarri automatike, ndërsa 2 të tjerë, mbanin shkopinj bejsbolli.

Bazuar në të dhënat hetimore dhe pamjet e kamerave të sigurisë dyshohet se autorët kishin për qëllim dhunimin e 21-vjeçarit Merando Nikulaj, me të cilin kishin pasur konflikt disa muaj më parë.

Por, sapo hynë në ambientin e berberhanes, ku gjendej Nikulaj, u përballën me të shtëna me armë zjarri.

Drejt tyre qëlloi efektivi i policisë Besart Kovaçi, i arrestuar për shpërdorim detyre, si dhe nipi i Ardian Nikulajt.

Në këto momente, një nga 7 personat që hynë në berberhane iu përgjigj me breshëri automatiku, ku nga të shtënat mbeti i plagosur berberi Sokol Daci.

Deri në këtë fazë të hetimeve, policia ka identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 nga personat e përfshirë në ngjarje.

Në kërkim janë: Gerardo, Eliseo e Kevin Ndoka, të cilët kanë lidhje familjare me ish deputetin socialist Arben Ndoka, në kërkim nga SPAK-u për grup të strukturuar kriminal. Në kërkim edhe 21-vjeçari Merando Nikulaj, i dyshuar se ka mbetur i plagosur në këmbë, por nuk u paraqit për ndihmë mjekësore në spital.

Ndaj tyre janë ngritur akuzat “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”, ndërsa vijon puna intensive për t’i kapur.

Policia ka dyshime se ngjarja në Rrilë ka lidhje me një konflikt të mëparshëm mes fisit Nikulaj dhe Ndoka, në muajin mars 2025, në zonën e Kunes në Shëngjin.