Bota

Austria drejt ndalimit të martesave për të miturit dhe mes të afërmve?

Qeveria federale e Austrisë ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për mbrojtjen e të miturve dhe forcimin e së drejtës familjare, duke propozuar ndalimin e martesave për personat nën moshën 18 vjeç, si dhe ndalimin e martesave mes të afërmve deri në shkallën e katërt, përfshirë kushërinjtë.

Projektligji u prezantua të mërkurën nga Ministrja e Drejtësisë, Anna Sporrer (SPÖ), dhe pritet të miratohet nga Këshilli Kombëtar përpara pushimeve verore. Ligji parashikohet të hyjë në fuqi në gusht të vitit 2025.

Në të ardhmen, vetëm personat që kanë mbushur 18 vjeç do të lejohen të martohen ose të regjistrojnë partneritete civile

-deklaroi Sporrer, duke e cilësuar nismën si një standard të ri për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Aktualisht, ligji austriak e lejon martesën për personat mbi 16 vjeç me miratim gjyqësor dhe të kujdestarit ligjor, por procedura shpesh ndodhte pa një vlerësim të thellë të rrethanave.

Ministrja e Familjes, Claudia Plakolm (ÖVP), e përshkroi nismën si “një hap vendimtar kundër martesave të fëmijëve”, ndërsa deputeti i NEOS, Yannick Shetty, tha se:

Një vajzë 16-vjeçare duhet të jetë në shkollë, jo në zyrën e gjendjes civile

Sipas statistikave zyrtare, numri i martesave ku njëri nga partnerët ishte nën 18 vjeç ka rënë nga rreth 50 raste në vitin 2015, në vetëm 6 raste në vitin 2024.

Projektligji parashikon gjithashtu që prokuroria të ketë të drejtën të kërkojë anulimin e një martese apo partneriteti të regjistruar nëse konstatohet mungesa e kapacitetit ligjor të njërit prej partnerëve.

Kjo iniciativë vjen si përmbyllje e një përpjekjeje të mëhershme të qeverisë së mëparshme ÖVP-Të Gjelbrit, e cila kishte hartuar një draft të ngjashëm, por që nuk arriti të miratohej.

Këtë herë, me mbështetje të gjerë politike, ligji pritet të miratohet pa pengesa.