Ditën e sotme, do të zhvillohet në Beograd takimi i radhës mes tre vendeve që kanë firmosur për iniciativën e ‘Open Balkan’, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Për shkak të dorëheqjes së kryeministrit Zoran Zaev, Maqedoni e Veriut do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Nikolla Dimitrov. Kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Dimitrov mbërritën mbrëmjen e djeshme në Beograd, ku u pritën për darkë nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Kësaj darke iu bashkua edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, që po përfundon vizitën zyrtare në Serbi.
ZBARDHET AXHENDA
08.55 Mbërritja dhe foto e përbashkët e zyrtarëve
09.00-10.00 Takimi i zyrtarëve me biznesmenë
10.00-10.30 Takimi i zyrtarëve me përfaqësues të Këshillit Atlantik
10.30-11.30 Takimi i Presidentit Aleksandar Vuçiç me Kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin Nikolla Dimitrov
11.30-12.30 Konferencë e përbashkët për shtyp e tre zyrtarëve
Rama mbërriti mbrëmë në Beograd, Vuçiç ndan pamje nga darka.
Kryeministri i Shqipërisë, mbrëmjen e djeshme arriti në Beograd, teksa u prit nga ministri i Jashtëm në aeroport, ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiç shtroi një darkë për shefin e qeverisë shqiptare, zv/ kryeministrin e Maqedonisë dhe kryeministrin malazez, Zdravko Krivokapiç.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ndau pamje nga darka në një prej restoranteve më në zë dhe shkruan se së bashku me kryeministren Ana Brnabiç u kanë ofruar mysafirëve verëra serbë, të cilat mund të krahasohen me verërat franceze. Ai shkruan se miqësia e tyre është një miqësi për të ardhmen e të gjitha rajonit.
“Një mbrëmje e mrekullueshme në restorant me miq nga rajoni. Unë dhe Ana Brnabić u dhuruam mysafirëve tanë verëra të shkëlqyera serbe dhe guxuam t’i krahasonim me verëra shumë të mira franceze. Miqësia jonë është miqësi për të ardhmen e gjithë rajonit,” shkruan Vuçiç bashkangjitur fotos!