Billie Eilish është rikthyer me edicionin e tetë të intervistës së saj të përvitshme me revistën e njohur Vanity Fair. Artistes së fundmi iu shtrua pyetja se cila ishte artistja që po e dëgjon më së shumti për momentin dhe përgjigjja e saj ishte: “Lady Gaga”. “Të them të drejtën e kam dëgjuar shumë Lady Gaga-n, këngët e saj të vjetra, me të vërtetë të mira. Si për shembull, Alejandro, Poker Face dhe G.U.Y”-u përgjigj këngëtarja. Billie Eilish, po e përmbyll suksesshëm këtë vit me albumin e saj si i dyti më i dëgjuar në të gjithë botën në platformën “Spotify”. Kënga e saj “Birds of a Feather” është në mesin e më të dëgjuarve në këtë platformë.
Këngëtares 22-vjeçare, i ka ndodhur së fundmi një incident gjatë një koncerti në Desert Diamond Arena në Glendale, Arizona, më 13 dhjetor 2024. Gjatë performancës së këngës së saj “What Was I Made For?”, ajo u godit papritur në fytyrë me një varëse që u hodh nga një prej fansave të saj që po ndiqnin koncertin. Në videon që qarkulloi në rrjetet sociale, shihet Eilish duke kënduar në skenë teksa u godit nga objekti. Pas një pauze të shkurtër dhe një reagimi të menjëhershëm të habitur, ajo e hedh bizhuterinë dhe vazhdon të këndojë pa u ndalur. Publiku reagoi menjëherë me një thirrje të fortë, ndërsa fansat e Eilish filluan të shprehnin shqetësimin dhe revoltën e tyre në rrjetet sociale.
Rikujtojmë se ylli i muzikës është shprehur e penduar që ka bërë publike detaje nga jeta e saj romantike. Këngëtarja 22 vjeçare ka treguar për Vogue se sa të vështirë e ka pasur jetën në këtë aspekt ndërkohë që fama e saj sa vjen e rritet. “Do të doja që askush të mos dinte asgjë për seksualitetin tim ose asgjë për jetën time në dashuri. Nuk do flas më kurrë për seksualitetin tim dhe nuk do flas kurrë më se me kë po takohem.”-tha ajo. Eilish ka deklaruar së fundmi në kopertinën e ‘Variety Power of Women’ se është biseksuale.