Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës vijojnë të përshkallëzohen, pas akuzave të forta nga Teherani për vendosjen e një bllokade detare.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, deklaroi këtë të diel se bllokada e porteve iraniane nga SHBA përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Pakistani.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Baqaei e cilësoi veprimin si “të paligjshëm dhe kriminal”, duke theksuar se masa bie ndesh me parimet e Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe përbën një akt agresioni ndaj sovranitetit të Iranit.
Sipas tij, bllokada ka pasoja të drejtpërdrejta për popullsinë civile, duke e cilësuar situatën si “ndëshkim kolektiv”, që sipas autoriteteve iraniane përbën krim lufte dhe krim kundër njerëzimit.
Deklaratat vijnë në një moment delikat për rajonin, ku përpjekjet për ruajtjen e armëpushimit mbeten të brishta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar nuk ka reaguar ende zyrtarisht ndaj këtyre akuzave.
Kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf, gjithashtu një nga negociatorët, tha se Uashingtoni dhe Teherani janë larg diskutimeve përfundimtare për t’i dhënë fund luftës dhe arritjes së një marrëveshjeje.
Ai theksoi se ka pasur përparim në bisedime dhe se ata kishin “një kuptim më realist të njëri-tjetrit”, por se ende kishte një distancë të madhe midis dy palëve.
“Ka disa çështje për të cilat ne këmbëngulim… Ato gjithashtu kanë vija të kuqe. Por këto çështje mund të jenë vetëm një ose dy. Jemi ende larg diskutimit përfundimtar”, tha Ghalibaf.
Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi se presidenti i SHBA nuk mund t’i privojë nga e drejta për armë bërthamore.
“Trump thotë se Irani nuk mund të përdorë të drejtat e tij bërthamore, por nuk thotë për çfarë krimi. Kush është ai që t’i privojë një kombi nga të drejtat e tij?”, citohet të ketë thënë Pezeshkian, sipas raportimeve të mediave lokale.