Sipas mediave britanike, Brooklyn Beckham dhe bashkëshortja e tij, Nicola Peltz, thuhet se kanë marrë një ofertë financiare marramendëse, me vlerë shtatë shifra, për të shkruar një libër që do të zbulojë detaje të panjohura mbi përçarjen e tyre tashmë publike me familjen Beckham.
Lajmi vjen vetëm pak ditë pasi Brooklyn, 26 vjeç, publikoi një deklaratë të fortë në rrjetet sociale, ku la të kuptohej se nuk ka ndërmend të pajtohet me prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham.
Ai i akuzoi ata për ndërhyrje të vazhdueshme në martesën e tij dhe tregoi se ishte rritur në një ambient ku, sipas tij, “imazhi publik vinte gjithmonë i pari”. Brooklyn shtoi se lidhja me Nicolën i ka sjellë për herë të parë qetësi dhe lehtësim, pas vitesh ankthi të thellë.
Sipas gazetës The Sun, shtëpia botuese Penguin Random House, e njohur për botimin e autobiografisë së Princit Harry, Spare, është në bisedime me çiftin për një libër që pritet të jetë pa filtra.
Një burim pranë botuesit ka deklaruar se interesi është jashtëzakonisht i madh dhe se ekziston gatishmëria për të paguar shuma të konsiderueshme, në mënyrë që Brooklyn “ta tregojë gjithë të vërtetën”.
Burimi shton se libri mund të jetë qindra faqe dhe nuk përjashtohet mundësia që çifti të ndjekë shembullin e Princit Harry, duke zhvilluar edhe një intervistë televizive të bujshme, të ngjashme me atë të Oprah Winfrey.
Ndërkohë, deklaratat e fundit të Brooklyn Beckham kanë ndezur më tej polemikat. Ai akuzoi nënën e tij se i kishte “marrë” momentin e vallëzimit të parë në dasmën e tij, duke kërcyer në mënyrë të papërshtatshme para të ftuarëve.
Ky incident u konfirmua më vonë edhe nga DJ i dasmës, Fat Tony, i cili e përshkroi situatën si “jashtëzakonisht të sikletshme” dhe tregoi se Nicola Peltz u largua nga salla duke qarë.
Nga ana tjetër, burime pranë familjes Beckham raportojnë se Victoria ndihet e tradhtuar, ndërsa si ajo ashtu edhe David Beckham thuhet se dëshirojnë një pajtim me djalin e tyre.
Megjithatë, deri tani, asnjë palë nuk ka bërë deklarata zyrtare publike, duke lënë të hapur mundësinë që historia të vazhdojë… ndoshta në faqet e një libri bombastik.