Lifestyle

Cilat janë 7 sjellje që s’duhet t’i injoroni te fëmijët? Mund të tregojnë probleme emocionale serioze…

Fëmijët rrallë e shprehin me fjalë se po përjetojnë vështirësi emocionale, por sjellja e tyre shpesh është pasqyrë e gjendjes së tyre të brendshme.

Sipas ekspertëve të prindërimit, është jetike që prindërit të njohin disa sinjale të hershme që mund të tregojnë probleme emocionale ose mendore.

Tërheqje dhe nervozizëm i shpeshtë

Kur fëmija humbet interesin për aktivitetet që dikur i pëlqenin dhe shfaq nervozizëm të shpeshtë, kjo mund të jetë një shenjë e depresionit ose ankthit. Sipas ekspertëve, kjo sjellje është një “britmë e heshtur për ndihmë”.

Gënjeshtra dhe kërkesa për vërtetim të vazhdueshëm

Gënjeshtrat mund të jenë rezultat i pasigurive të brendshme dhe jo thjesht mungesë disipline. Nëse fëmija kërkon vazhdimisht lavdërime, mund të tregojë mungesë të vetëvlerësimit apo nevojë për pranueshmëri.

Shmangia e kontaktit me sy apo përqafimeve

Kur fëmija shmang afërsinë fizike dhe nuk pranon kontakt vizual, kjo mund të lidhet me ankth ose përjetime traumatike. Prindërit këshillohen të krijojnë një mjedis të sigurt për të nxitur ndjenjën e besimit.

Ndryshime në gjumë dhe oreks

Pagjumësia, mungesa e oreksit apo anasjelltas, si dhe ankesa për dhimbje fizike pa shkak mjekësor, shpesh janë sinjale të vështirësive emocionale që nuk duhet neglizhuar.

Agresion dhe përqendrim i dobët

Agresiviteti ndaj të tjerëve ose pamundësia për të qëndruar i fokusuar mund të jenë mënyra për të shprehur ndjenja të fshehura, stres ose çrregullime si ADHD apo ankth.

Fjalë që nënkuptojnë vetëvlerësim të ulët

Fjalë si “jam budalla” apo “askush nuk më do” nuk janë thjesht fraza të pafajshme. Ato mund të jenë pasqyrë e një gjendjeje të rënduar emocionale, madje edhe shenja të depresionit të hershëm.

Rënie e papritur në performancën shkollore

Kur notat bien dhe fëmija humb interesin për mësimet, kjo mund të jetë një shenjë e bullizmit, stresit ose vështirësive të tjera që kërkojnë vëmendje dhe mbështetje.

Ekspertët theksojnë se sa më herët të dallohet problemi, aq më të mëdha janë shanset për ta zgjidhur. Komunikimi i hapur, mirëkuptimi dhe kërkimi i ndihmës profesionale kur është e nevojshme janë hapat kryesorë drejt përmirësimit të mirëqenies së fëmijës.